Kompanive që kanë pronarë biznesmenë serbë, të cilët në fillim të dhjetorit u futën në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të ardhmen duhet t’u pamundësohet konkurrimi në tenderë, deklaroi zëvendësministri i Infrastrukturës në Kosovë, Hysen Durmishi.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë lidhur me sanksionet që shteti i Kosovës do t’i ndërmarrë kundër 13 personave që u futën në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Durmishi tha se organet e ndjekjes janë duke kryer hetime për këta persona.
“Pas hetimeve, institucionet tona duhet t’i fusin këto kompani në listën e zezë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), në mënyrë që këtyre kompanive t’u pamundësohet konkurrimi në tenderë”, tha Durmishi.
Aktualisht, mundësitë ligjore për futjen në listë të zezë të bizneseve i ka OSHP-ja, ndryshe e njohur edhe si Gjykata e Tenderëve.
Sipas rregullores së punës së këtij institucioni, një operator ekonomik mund të futet në listë të zezë ose “të diskualifikohet” pas një ankese të autoritetit kontraktues dhe pas vërtetimit se operatori ekonomik ka dorëzuar informata të rrejshme apo dokumente të falsifikuara.
Ndërkohë, më 17 dhjetor, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se kompania “RAD” D.O.O, e cila është futur në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, nuk do të jetë pjesë e konsorciumit në kontratën: “Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021-2022 e rrugëve nacionale dhe rajonale”.
“E kemi larguar prej konsorciumit dhe atje është duke u vazhduar kontrata, pasi dy operatorët tjerë ekonomikë janë shqiptarë, i plotësojnë kriteret dhe thjesht është amandamentuar kontrata dhe gjithçka është në rregull”, sqaroi Durmishi.
Kompania “RAD” D.O.O dhe kompania tjetër P.T.P. “RAD”, janë në pronësi të Radulle Steviqit. Ai është një ndër personat që më 8 dhjetor, u futën në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hoxhiq: Do të zbatojmë çdo vendim të Qeverisë lidhur me personat e sanksionuar
Radulle Steviq me dy kompanitë e tij nga institucionet e Kosovës për projekte të ndryshme, kryesisht në veri të Kosovës, nga viti 2018 ka fituar më shumë se 60 tenderë në vlerë prej 5.6 milionë eurosh.
Nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq, komunë kjo ku kompania “RAD” D.O.O i ka fituar rregullisht tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve, tha se këtë vit kjo kompani nuk e ka asnjë tender në këtë komunë.
Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se çfarëdo vendimi që do të marrë Qeveria e Kosovës kundër këtyre personave, Komuna e Mitrovicës së Veriut do ta zbatojë.
“Nuk e di si do të jetë gjendja në vitin e ardhshëm, sepse ne i kemi disa projekte, të cilat normalisht sipas ligjeve siç kemi punuar deri tani, do të bëhet shpallja e tenderëve dhe asnjëherë s’mund ta dimë paraprakisht se kush do ta fitojë tenderin. Ne do të veprojmë në bashkëpunim me nivelin qendror dhe do të marrim masa sipas vendimit që merr Qeveria e Kosovës”, theksoi Hoxhiq.
Ajo tha se nuk kanë pasur asnjëherë problem me kompaninë e Radulle Steviqit.
“Puna ime direkte ka qenë që së bashku me kolegët e mi që punojnë në projekte, me inxhinierët, arkitektët, ta vërtetojmë gjendjen në terren dhe implementimin e këtyre projekteve. Ne nuk kemi pasur asnjëherë problem. Implementimi ka ndodhur ashtu siç ka qenë i planifikuar me planin dinamik dhe detajet e parapara në projekt”, tha Hoxhiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë mediave më 9 dhjetor, se sistemi gjyqësor duhet të veprojë në bazë të vendimit të SHBA-së.
“Sistemi i drejtësisë [duhet] t’i përcjellë me vëmendje të gjitha vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë informacion të bollshëm, në mënyrë që ata të mos kenë vetëm sanksione nga SHBA-ja, por të jenë të sanksionuar, hetuar, gjykuar e dënuar edhe këtu te ne”, ka deklaruar Kurti para mediave.
IKD: Duhet të nisin hetimet
Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të marrë parasysh zbatimin e të gjitha procedurave që të mos ketë pastaj kthim të këtyre kontratave apo dëmshpërblim nga procesi gjyqësor.
“Institucionet që merren me prokurimin publik, duhet të jenë të kujdesshme që çdo ndërprerje e tillë e kontratës të përcillet me zbatim të procedurave, zbatim të ligjit, me qëllim që të mos u jepet mundësi që në të ardhmen të njëjtit ta fitojnë një rast të tillë dhe pastaj të kërkojnë kompensim dhe me këtë rast të dëmtohet buxheti i Kosovës”, theksoi Zekaj.
Ai tha se organet e ndjekjes duhet të merren me të kaluarën kriminale dhe veprimtaritë kriminale që aktualisht mund të jenë duke zhvilluar personat e sanksionuar nga SHBA-ja.
“Besoj që në momentin që persona të tillë shpallen non-grata [të padëshirueshëm], kjo duhet të jetë një indicie për organet e hetuesisë dhe të ndjekjes, që të jenë të guximshme dhe të marrin masa që të fillojnë eventualisht hetimet preliminare ndaj këtyre personave, pasi është një supozim që këta persona janë të lidhur me veprimtari kriminale”, tha Zekaj.
Mirëpo, ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se policia nuk mund të kryejë asnjë aksion ndaj 13 personave që u vendosën në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 8 dhjetor.
Ai tha se fakti se ata janë vendosur në këtë listë, nuk nënkupton se ka bazë ligjore për të kryer aksion ndaj tyre, por ka bërë të ditur se në rast se kanë informacione që ndërlidhen me krimin, atëherë do të ketë veprime.
Kush janë të sanksionuarit?
Departamenti i Thesarit i SHBA-së i ka futur në listë të sanksioneve, ndër të tjerë, nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko dhe Zharko Veselinoviqin, si dhe Srgjan Vuloviqin, Zhelko dhe Andrija Bojiqin dhe Radulle Steviqin.
Sipas vendimit që u bë i ditur të mërkurën e 8 dhjetorit, këta persona janë identifikuar si të lidhur me skema të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviq identifikohet si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.
Ndaj Milan Radoiçiqit në vitin 2011 ishte ngritur akuza edhe në Serbi, për shkak të përvetësimit të 32 kamionëve të Hipo Alpe Adria Lizing. Me këtë akuzë ishte përfshirë edhe Zvonko Veselinoviq, por që të dy janë liruar nga akuzat me vendim të plotfuqishëm, në vitin 2016.
Edhe Zvonko Veselinoviq, në Kosovë, ndërlidhet me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.
Sipas ligjeve amerikane, me futjen e tyre në listë të sanksioneve, pronat që ata mund të kenë fituar jashtëligjshëm zakonisht bllokohen dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet që të bashkëpunojnë në ndonjë mënyrë me ta. /REL