Ajax-Roma është një nga duelet e raundit çerekfinal të Europa League. Dy ndër skuadrat favorite për fitimin e trofeut, do të masin forcat mes tyre në “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit, teksa sfida e kthimit do të luhet në kryeqytetin italian javën e ardhshme.
CEO i rekordmenëve holandezë, Edwin Van der Sar ka folur shkurt për Sky Sport përpara fillimit të ndeshjes. Ish-portieri i njohur është ndalur te politika e bazuar te lojtarët e rinj, diçka që “Harkëtarët” e bëjnë prej vitesh dhe e bëjnë shumë mirë.
“Ne luajmë gjithmonë me lojtarë 18-19 vjeçarë, aktivizimi i të rinjve të talentuar është një karakteristikë e Ajax. Ndër vite kemi rritur shumë lojtarë të rinj të shkëlqyer për ekipin tonë, por është e rëndësishme që ata të kenë përkrah tyre edhe lojtarë me eksperiencë.
Këtu është e lehtë të rrisësh e përmirësosh të rinjtë, të cilët nuk e kanë të vështirë për t’u bërë pjesë e ekipit të parë të Ajax. Pasi i mbajmë rreth 4-5 vite, ne i dërgojmë ata jashtë Holandës për t’u rritur e përmirësuar më shumë“, deklaroi Van der Sar. /abcnews.al