Ishte infektuar me covid, shuhet regjisori i madh Muharrem Fejzo

schedule08:08 - 22 Nëntor, 2020

schedule 08:08 - 22 Nëntor, 2020

Arti në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare regjisori i madh shqiptar Muharrem Fejzo. Ai ishte i infektuar me koronavirus dhe prej disa ditësh ishte i shtruar në spital, por nuk mundi që ta fitojë luftën me sëmundjen. Lajmin e hidhur e ka njoftuar djali i tij, Joe Fejzo.

Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e stë dhashë dot një got uje, nuk mertiton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”  shkruan ai.

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Ai i kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!