Pasi tre gjyqtarët nuk arritën unanimitet të martën për të vendosur kalimin apo rrëzimin e padisë së kryeministrit për çështjen Balluku, Gjykata Kushtetuese shtynë me mbi një javë Mbledhjen e Gjyqtarëve.
Kjo mbledhje që pritej të mbahej të enjten e kësaj jave, është shtyrë për të premten e javës së ardhshme, datë 12 dhjetor.
Juristja Brizida Gjikondi në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka përse ta shtyjë, sepse sipas saj tregon që nuk ka kurajë. Më tej nënvizoi se një argument si ajo që dha Kushtetuesja, mund t’i bëjë vetëm një gjykatë e një qyteti të humbur.
“Është për të ardhur keq që Shqipëria dhe Kosova janë më problemstike dhe jemi vetë problemi. Ka tension për këtë çështje te qytetarët. Gjykata Kushtetuese nuk ka pse ta shtyjë, por tregon që nuk ka integritet dhe kurajë. Është për të ardhur keq, dhe është ajo shprehja e famshme, se “shqiptarët nuk kanë veti shtet-formuese, dhe kjo shprehje po rezulton ashtu. Nuk i paragjykoj fare për po apo jo. Por nuk mund të thonë që s’njohim dosjet, sepse janë bërë publike, nuk mund të vësh një agjendë personale. Unë them të marrin vendim për ta rrëzuar kërkesën e Ramës apo ta lënë në fuqi. E dinë vetë çfarë bëjnë. Por kjo tregon se nuk janë të vetëdijshëm për rolin dhe momentin e për qasjen me vlera kombëtare që kanë ata tani. Por e them dhe këtë se janë atje pa meritë. Sepse një njeri që është pa meritë, bën këto njoftime. Këto njoftime mund t’i bëjë vetëm një gjykatë e një qyteti të humbur dhe jo Gjykata Kushtetuese”, tha Gjikondi.

