Shtrenjtimi i energjisë, OSHEE kërkesë ERE-s për pezullimin e fashës, çfarë do të vendoset më 10 nëntor?

schedule15:53 - 8 Nëntor, 2022

schedule 15:53 - 8 Nëntor, 2022

Fasha prej 800 KwH e energjisë nuk do të aplikohet për muajin nëntor.

Furnizuesi universal, pjesë e OSHEE ka dorëzuar zyrtarisht në Entin rregullator të Energjisë kërkesën për pezullim të fashës.

Në aplikim theksohet se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk do të rrisë çmimet e shitjes së energjisë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke lënë në fuqi tarifat aktuale.

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka njoftuar ndërkohë se do të marrë në shqyrtim këtë kërkesë në mbledhjen e së enjtes.

Më herët kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të mbrojë konsumatorët nga shtrenjtimi i energjisë.

Pavarësisht kësaj kërkese, situata në kaskadën e Drinit nuk është favorizuese.

Niveli në Fierzë rezulton 267.37 metra, ndërsa reshjet e rëna ditët e fundit nuk kanë pasur asnjë ndikim në nivelin e ujit në liqen. Sipas të dhënave zyrtare prurjet në Fierzë rezultojnë 90 m3 në sekondë.

Për të plotësuar nevojat e vendit me energji elektrike, Korporata Elektro-energjitike ka blerë 13.5 mln euro energji elektrike për periudhën 7 deri në 13 nëntor.

 

Nga ana tjetër,  në Samitin e Berlinit më 3 nëntor u vendos që vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndihmoheshin me një grant prej 1 miliardë eurosh, ku 500 milionë euro do të jepen në formë granti, kurse 500 milionë euro do të jepen për energji të rinovueshme.

Shqipëria do të jetë përfituese direkte e ndihmës së BE-së, prandaj çdo kWh që do të jetë i nevojshëm për tu importuar, do të blihet me fondet e BE-së./Abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!