Shtohen virozat te fëmijët/ Mjekët: Kujdes diaretë dhe temperaturën

schedule14:58 - 8 Shtator, 2023

schedule 14:58 - 8 Shtator, 2023

Vjeshta ka rikthyer virozat tek fëmijët.  Në qendrat shëndetësore në Tiranë mjekët po përballen me fluks pacientësh.  Ata që po preken më tepër janë më të vegjlit. Shqetësimet që po dominojnë janë ato të traktit tretës të cilat në disa raste kërkojnë dhe trajtim në spital.

“Predominojnë gastrointeritet. Ne kemi pas shumë fëmijë me temperaturë e të vjella.  Virozë që shkon 3-5 ditë.  Mund dhe të mos kenë temperaturë, por e vjella e diarreja i lodh, i jep mungesë oreksi, i detyron të shkojnë në spital se të vjellat janë disa herë gjatë ditës dhe kthehen në shqetësuese”, tha mjekia.

Shumë prej pacientëve të vegjël sipas mjekëve kanë frekuentuar të njejtat mjedise.  Prandaj ata i bëjnë thirrje prindërve të mos i dërgojnë fëmijët e sëmurë në çerdhe kopshte dhe shkolla për të shmangur përhapjen e virozës si dhe të mbajnë kontakt me mjekun.

” Fëmijët me temperaturë nuk duhet të frekuentojnë çerdhe, kopshte, shkolla, është një parim që duhet ta kenë dhe ta bëjnë personal, të shmangin mjediset me shumë njerëz.  Nëse fëmija ka simptoma të paktën 24 orë të mbahet në shtëpi. Nëse temperature është e padominueshme të drejtohen te mjeku në qendrat shëndetësore” shtoi ajo.

Megjithëse më të pakta në numër mjekët thonë se të pranishme në këtë sezon vijojnë të jenë dhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, ato të  veshit apo lëkurës që kanë dominuar problemet shëndetësore tek fëmijët gjatë verës.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!