Shtohen rastet me COVID-19 në Shkodër, në Durrës dhe Korçë preken institucionet publike

schedule15:39 - 26 Qershor, 2020

schedule 15:39 - 26 Qershor, 2020

Shkodra edhe këtë të premte rezulton më një numër të lartë të infektuarish. 13 në 24 orët e fundit duke çuar totalin e të prekurve aktivë në 154 persona.

Në Durrës infektohet dhe një tjetër institucion shëndetësor që ka lidhje të drejtpërdrejtë me të dyshuarit me koronavirus.

5 raste të reja me Covid 19 regjistroi Durrësi këtë të premte. Një vatër e re infeksioni është përhapur në Inspektoratin Shëndetësor. Një prej punonjësve të administratës ka rezultuar pozitiv. Kjo vë në alarm institucionin që është në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.

Ambientet janë dezinfektuar dhe kolegët më të afërm të prekurit janë vetëkarantinuar

Ndërsa në Korçë janë infektuar dhe 5 persona të tjerë, familjarë të 80 vjeçares që u raportua ditën e enjte.

Ndërkohë është pezulluar puna në Drejtorinë e Urbanistikës në Bashkinë e Korçës. Është rasti i parë i konfirmuar në këtë institucion. Dyshohet se është infektuar nga e moshuara që u konfirmua një ditë më parë e infektuar në QSUT në Tiranë.

Po 5 raste me COVID-19 janë shënuar dhe në Berat. Një prej tyre është 45 vjeçare që punon në një fasoneri, 4 rastet e tjera janë bashkëshorti i saj vajza dhe vjehrri me vjehrrën e saj.

Në fasonerinë ku zonja punon janë marrë 87 tamponë, por asnjë s’ka rezultuar pozitiv.

Ndërsa në Delvinë nuk ndalen të prekurit e rinj me COVID-19. Këtë të premte janë raportuar dhe 4 raste të tjerë duke e çuar numrin total në 11.

Burime të “ABC News” tregojnë se këta të infektuar kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore dhe aty mund ta kenë marrë virusin, nga i prekuri i parë 64 vjeçar, pasi edhe ai ka marrë pjesë në varrim.

Në Fier sërish janë regjistruar në 24 orët e fundit, 3 të infektuar të rinj.

Në 48 orë janë konfirmuar 5 raste,  4 në Fier dhe një në Roskovec. Ndërkohë që mes tyre është dhe një mësues nga lagjja “15 Tetori”.

Burime të “ABC News” tregojnë se të gjithë janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe janë vetëkarantinuar në banesë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!