Aksidentet rrugore vijojnë të përgjakin rrugët në vend. Një i vdekur e tre të plagosur është bilanci i tre aksidenteve të ndodhura në vend. Aksidenti më i rëndë ndodhi në Lushnje ku humbi jetën një 52 vjeçar që udhëtonte me motor. Të plagosurit në Lushnje dhe Vlorë janë jashtë rrezikur për jetën.
Një person humbi jetën, ndërsa tre tjetër mbetën të plagosur në tre aksidentet të ndodhura në Lushnje dhe Vlorë.
Shpëtim Bajaziti nga fshati Ardenicë e Lushnjës humbi jetën mesditën e së enjtes teksa udhëtonte me motoçikletë. Policia e Lushnjes bën me dije se kur viktima ka marrë kthesën, kamaleci i motorrit ka prekur asfaltin, çka ka sjellë rrëzimin nga mjeti. Fatkeqësisht në momentin e aksidentit Bajaziti nuk mbante në kokë kaskën mbrojtëse. Për shkak të plagëve të marra 52- vjeçari ndërroi jetë rrugës për në spital.
Në orët e pasdites një tjetër aksident me dy të plagosur u regjistrua sërish në Lushnje. Të plagosur mbetën një çift bashkëshortësh të cilët udhëtonin me një motorr të improvizuar për grumbullimin e hekurave dhe kanaçeve.
Uniformat blu bëjnë me dije se çarçafi me të cilën ishte mbuluar motorri kapi rrotën e pasme të mjetit, duke sjellë rrëzimin e tij.
Ndërsa në Babicë të Vlorës një automjet tip fuoristrade doli nga rruga.
Për pasojë është dëmtuar një person i moshuar, i cili ishte pasagjer në makinën e përfshirë në aksident. Për shkak të plagëve të marra ai u dërgua në spitalin e Vlorës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve./abcnews.al