Shtetet e Bashkuara vijojnë “vetëizolimin”

schedule22:50 - 19 Qershor, 2018

schedule 22:50 - 19 Qershor, 2018

Administrata amerikane nën drejtimin e presidentit Trump vazhdon tërheqjen nga nismat ndërkombëtare. Pas largimit nga Marrëveshja e Klimës dhe ajo bërthamore me Iranin, Uashingtoni ka braktisur Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Në lëvizjen e sa të radhës, administrata amerikane ka vendosur të braktisë Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut. Lajmin e ka konfirmuar një burim pranë administratës Trump për agjencinë “Reuters”. Prej kohësh Uashingtoni zyrtar kishte kërcënuar me largimin nga struktura e Kombeve të Bashkuara nëse nuk reformohej, duke akuzuar atë për retorikë kundër Izraelit.

Muajin e kaluar, aktivistë dhe diplomatë deklaruan se bisedimet me Shtetet e Bashkuara për reformat kishin dështuar të përmbushnin pritshmëritë e Amerikës, duke paralajmëruar pikërisht largimin e saj. Tërheqja e Uashingtonit nga nismat ndërkombëtare është e treta pas asaj nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe ajo bërthamore me Iranin.

Gjithashtu, largimi nga Këshilli i të drejtave të njeriut vjen në një kohë kur qeveria amerikane po përballet me kritika të shumta për ndarjen e fëmijëve emigrantë nga prindërit e tyre në kufirin SHBA-Meksikë. Një ditë më parë, komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, Zeid Raad al Husein i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë që t’i japë fund politikave të paarsyeshme të saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!