Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin se me intensifikimin e programit bërthamor po shantazhon Perëndimin. Nga ana e saj, Republika Islamike ka përsëritur se është gati të zbusë programin nëse fuqitë Europiane kompensojnë humbjet e shkaktuara nga sanksionet amerikane; në të kundërt do avancojë më tej.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin se po përpiqet të shantazhojë komunitetin ndërkombëtar me vendimin për të shkelur parimet e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Ambasadorja amerikane pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Xheki Ullkot ka deklaruar se Irani nuk kishte asnjë arsye serioze për të shkelur dy zotimet kryesore sa i takon pasurimit të uraniumit.
Nga ana e tij, Irani ka deklaruar se hapat e ndërmarra ishin një përgjigje ndaj sanksioneve që Shtetet e Bashkuara rivendosën kur braktisën akordin vitin e kaluar. Republika Islamike ka premtuar se do të tërhiqet nga lëvizjet e fundit vetëm nëse kompensohet për humbjet ekonomike.
Fuqitë europiane që janë ende pjesë e marrëveshjes kanë ngritur një mekanizëm për të lehtësuar tregtinë me Iranin, në mënyrë që të shmangin sanksionet amerikane. Por megjithatë, Teherani ka deklaruar se kjo nuk i plotëson nevojat e tij.
Përfaqësuesi i Iranit në Kombet e Bashkuara ka deklaruar për BBC se evropianët mund të bëjnë më shumë dhe ka paralajmëruar se në rast të kundërt vendi do të ndërmarrë hapa të tjerë sa i takon programit bërthamor.
“Nëse në 60 ditët e ardhshme nuk ndodh asgjë, atëherë ne do të hyjmë në fazën e tretë”, ka deklaruar ambasadori Maxhit Takt Ravançi.
Në mbledhjen e posaçme të së martës, diplomatët e akredituar pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike deklaruan se, Irani po pasuron uranium në nivelin 4.5 për qind, më lartë se limiti prej 3.6 për qind i caktuar në bazë të marrëveshjes së 4 viteve më parë./ABC News Albania 24/7