Shtetet baltike mesazh NATO-s: Putin mund të nisë një luftë kundër nesh

schedule13:59 - 1 Prill, 2024

schedule 13:59 - 1 Prill, 2024

NATO duhet të jetë gati pasi Rusia mund të nisë një luftë “ekzistenciale” kundër shteteve baltike “të maskuar nga një stuhi dezinformimi”, kanë paralajmëruar ambasadorët e tre vendeve.

Diplomatët nga Estonia, Letonia dhe Lituania thanë se Rusia mund të veprojë shpejt për të pushtuar Baltikun, pas Ukrainës.

Ambasadorët theksuan se brutalizimi i Ukrainës nga Vladimir Putin po ngjall “kujtimet më të errëta” të pushtimit të tri vendeve nga Stalini.

Ambasadori i Estonisë, Viljar Lubi, ambasadorja letoneze, Ivita Burmistre dhe e ngarkuara me punë e Lituanisë, Lina Zigmantaite theksuan se bashkimi me aleancën do të thoshte se kombet e tyre nuk kishin gëzuar kurrë “siguri kolektive më të fortë” se sot, por se as nuk ishin përballur më parë me një kërcënim të frikshëm.

Në një referencë për vendet tjera europiane që kishin minimizuar rrezikun e Rusisë, ambasadorët thanë se paralajmërimet për kërcënimet në rritje nga lindja u hodhën poshtë shumë lehtë në disa kryeqytete aleate.

“Ne e dinim atëherë, ashtu siç e dimë sot se vetëm një mbrojtje kolektive mund të garantojë sigurinë në Europë.

Kjo na mungonte në vitet 1930 dhe paguam një çmim të rëndë; atë që ukrainasit po paguajnë tani”.

Ambasadorët thanë se “vuajtjet” që po përjeton aktualisht Ukraina në formën e “deportimit, torturës, rrëmbimit të fëmijëve” zgjuan “kujtimet dhe frikën më të errët” të vendeve të tyre, një referencë e dukshme për pushtimin sovjetik të shteteve baltike që filloi në vitin 1940.

Me vendet tashmë të sulmuara nga “sulme hibride” si lufta kibernetike ata paralajmëruan se një “sfidë ekzistenciale” ndaj pavarësisë së tyre “mund të duket fillimisht e paqartë, e maskuar nga një stuhi dezinformimi dhe të tjera.

“Në këto rrethana, konfuzioni parashikon humbje.

Prandaj, ne dhe aleatët tanë duhet të jemi gati për t’iu përgjigjur shpejt, bindshëm dhe efektivisht të gjitha llojeve të kërcënimeve”. Për të penguar Rusinë, ata bënë thirrje për veprime më të shpejta të NATO dhe bënë thirrje që të gjithë anëtarët të investojnë në forca dhe pajisje.

Sa i përket Ukrainës, ata thanë se Rusia “nuk duhet të lejohet të fitojë”.

Ambasadorët thanë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO në një datë të ardhshme jo vetëm që do të mbrojë vendin nga agresioni i mëtejshëm rus, por do të forcojë aleancën.

Deklarata e ambasadorëve vjen në një kohë të shqetësimit në rritje për aftësinë e Ukrainës për të vazhduar t’i rezistojë Rusisë dhe pasigurisë për të ardhmen e NATO-s.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!