Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët u shpreh se me procesin e dhënies së shtetësisë me koncension dhe pasaportën e artë, kryeministri Rama shndërron Shqipërinë në një vend të rrezikshëm për qytetarët e saj dhe jo vetëm. Sipas tij, Shqipëria shndërrohet në një vend të rrezikshëm për shkak të trafikantëve dhe kriminelëve që mund të mblidhen në vend.
Berisha: Pasaporta e artë e Edi Ramës është thjesht një thirrje narko trafikant dhe kriminel të të gjithë rajonit, Evropës dhe botës, bashkohuni në Shqipëri. PD deklaron se pas nismës për legalizimin e kanabisit, ligjin për amnistinë fiskale, pasaporta e artë është dhe mekanizmi i tretë dhe i fundit i trinomit të shndërrimit të Shqipërisë në Parajsën tokësore të drogës, trafiqeve dhe krimit rajonal evropian dhe botëror.
Berisha theksoi se pasaporta e artë në vend u shteti ligjor funksionon është një mundësi e përdorur për të thithur investime të huaja. Por sipas tij, në Shqipëri është një kanal i zi për të larë narkoeurot e trafikantëve të rajonit, Evropës dhe botës në Shqipëri.
Berisha: Është një kanal i zi për paratë toksike të bosëve të krimit. Pasaporta e artë në një narkoshtet si Shqipëria është një organizëm shtesë vdekësor për konkurrencën e ndershme dhe bizneset e ndershme në këtë vend. Edi Rama dhe regjimi i tij janë të njohur për klimën e biznesit.
Sipas Berishës, në 9 vite qeverisje është përgjysmuar numri i bizneseve dhe janë larguar qindra investitorë të huaj. Nuk ka ardhur asnjë biznesmen serioz për të bërë investime serioze në Shqipëri, theksoi ai.
Berisha: Edi Rama kërkon që të koncensionojë dhe çështjet e shtetësisë dhe dokumenteve të shtetësisë. Një e drejtë që fitohet mbi bazën e Kushtetutës dhe që mund të hiqet vetë me dëshirën e personit, Edi Rama kërkon ta shndërrojë këtë në një proces që përbën një goditje të thellë për vetë thelbin e shteti shqiptar.
Ai përshëndeti qëndrimin e Komisionit Evropian, i cili është shprehur në mënyrë kategorike kundër këtyre praktikave./abcnews.al/