Shtëpia Muze e Ismail Kadaresë, shkrimtari me bashkëshorten vizitorët e parë

schedule16:30 - 26 Maj, 2019

schedule 16:30 - 26 Maj, 2019

Pas kthimit në shtëpi muze nga Bashkia e Tiranës, vizitori parë i kësaj shtëpie ishte vetë shkrimtari Ismail Kadare së bashku me bashkëshorten e tij, Helena Kadare. Mes emocionesh dhe kujtimesh të shumta, gjeniu i letrave shqipe e vlerësoj projektin si një ide të mrekullueshme dhe mjaft fisnike.

 Gjatë së shtunës hapi dyert për vizitorët, ndërsa të dielën shtëpia muze priti si vizitor vetë gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare së bashku me bashkëshortët e tij dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

Teksa u rikthye në shtëpinë ku ka shumë kujtime, Kadare u shpreh se projekti për ta kthyer atë në muze është ide e mrekullueshme dhe i rizgjon emocione të mëdha, e për këtë falënderon edhe Bashkinë Tiranë

Ismail Kadare, shkrimtar: “Askush nuk e dinte këtë projekt dhe ideja vetë është e mrekullueshme, është fisnike, shumë humane. Mua s’më mbetet veçse të përsëris mirënjohjen time për të gjithë. Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjodhën emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Evropë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit”.

 Mes emocionesh, mirënjohja dhe falënderimet nuk munguan as nga bashkëshortja e shkrimtarit të madh, Helena Kadare

 Helena Kadare, bashkëshortja e Ismail Kadare: “Në këtë shtëpi kemi patur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore. Habitem vërtetë me këtë punë jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka bërë bashkia, bashkë me ata vajza dhe djem të rinj, me një energji fantastike”.

E pranishme në vizitën e zotit të shtëpisë muze, ishte edhe arkitektja dhe restauruesja e njohur, Elisabetta Terragni, e cila shprehu bindjen se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të nxjerrë në pah për vizitorët nga e gjithë bota jo vetëm të vlerave të gjuhës shqipe, por edhe të periudhës në të cilën jetoi e punoi shkrimtari ynë i madh.

Elisabeta Terragni, arkitekte italiane: “Ky apartament është për ne rezultati i celebrimit të letërsisë, nuk është një muze klasik, por është një vend ku mund të mësoni më shumë përsa i përket shkrimit në kanavacë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të festuar gjuhën, që është gjuha shqipe në të cilin shkroi shkrimtari, dhe në të njëjtën kohë për të treguar se si ky shkrimtar ia doli gjatë kësaj periudhe të vështirë për të përkthyer gjithë punët e tij”.

Pas projektit për shtëpinë muze të shkrimtarit Ismail Kadare, shume shpejt pritet që Bashkia Tiranë të shndërroje në muze edhe shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!