“Shtëpia e Lirisë e Kryemadhit e Ndokës”, juristi: Rithemeluesit e dinë që po garojnë nën siglën e LSI e PDK

schedule20:00 - 1 Shkurt, 2022

schedule 20:00 - 1 Shkurt, 2022

Pas mbylljes së Primareve dhe shpalljes së kandidatëve për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 6 marsit, ish-kryeministri Sali Berisha bëri të ditur që në lokalet e pjesshme do të hynte në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Në një dalje televizive, ish-sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata deklaroi se LSI i ka lënë Komisionit të Rithemelimit dorë të lirë dhe se kandidatët do të jenë ata gjashtë që kanë dalë nga primaret.

Por a mund të regjistrohet si koalicion në KQZ grupimi i ish-kryministrit Berisha? Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, juristi Sokol Hazizaj tha se vetë “rithemeluesit” siç i quajti ai, e kanë të qartë që formalisht kandidatët e tyre do të dalin nën siglën e LSI dhe PDK.

Hazizaj theksoi se “Shtëpia e Lirisë” është në emrin e Monika Kryemadhit dhe Nard Ndokës, “cedimi i më tepër se dy emrave do ta bënte të pamundur regjistrimin e koalicionit.”

Ai theksoi se si koalicion në KQZ mund të paraqiten vetëm ato subjekte që janë të regjistruara dhe koaludura në procese zgjedhore, pra në këtë rast, LSI dhe PDK. “Çdo gjë tjetër është e palegjitimuar.

“Kështu interpretohet si sjellje ligjore, si sjellje politike është tjetër.”

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk e ka njohur Foltoren, pra grupin e rithemelimit, si, formacion zyrtar në KQZ. Afati për regjistrimin e partive ka skaduar. Kërkesë për t’u regjistruar si parti pjesëmarrëse në zgjedhje ka bërë vetëm PD-ja e Bashës dhe jo Komisioni i Berishës.

Pra, KQZ pritet të refuzojë të regjistrojë Shtëpinë e lirisë pasi njëra nuk është e pranuar si e tillë dhe as e regjistruar për në zgjedhje. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë mbyllje dere për 6 kandidatët e dalë nga primaret e Berishës.

Kodi zgjedhor i jep të drejtë Celibashit që t’jua kthejë për plotësim partive kërkesën, dhe me këtë rast, nëse LSI dhe PDK sjellin një kërkesë të re ku janë vetëm ato e jo Grupi i Rithemelimit të PD-së, si pjesëmarrëse. Kërkesa nuk ka asnjë pengesë për tu regjistruar.  Pra, 6 kandidatët e Berishës mund të regjistrohen lehtësisht në zgjedhje, me siglën Shtëpia e Lirisë, por vetëm të mbështetur nga LSI dhe PDK. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!