Shtëpia e Bardhë: Rusia vazhdon të dërgojë forca të reja pranë Ukrainës

schedule23:26 - 31 Janar, 2022

schedule 23:26 - 31 Janar, 2022

UASHINGTON – Rusia ka dërguar 5 mijë forca në Bjellorusi, dhe ka “plane për të dërguar më shumë në ditët në vijim”, tha Shtëpia e Bardhë të hënën, duke nënvizuar atë që e quan rrezikun e vazhdueshëm që Moska përfaqëson për Ukrainën.

“Mendojmë se është e rëndësishme të jemi të hapur dhe të sinqertë për rrezikun nga Rusia”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, gjatë konferencës për shtyp ku nënvizoi se mijëra forca të reja ruse janë grumbulluar pranë kufirit Rusi-Ukrainë.

“Është e rrezikshme”, shtoi ajo. “Kemi mbi një javë që po themi se Rusia mund të pushtojë në çdo moment”.

Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai francez Emmanuel Macron diskutuan sërish për Ukrainën gjatë një telefonate të dytë brenda vetëm tre ditësh, njoftoi Kremlini të hënën.
Në deklaratën e Kremlinit thuhet se dy udhëheqësit gjithashtu shkëmbyen pikëpamje rreth garancive të sigurisë që propozon Rusia. Ata gjithashtu ranë dakort të takohen nga afër.

Të premten, zoti Putin i kishte thënë zotit Macron se përgjigjet e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s ndaj propozimeve të Rusisë për sigurinë, nuk trajtonin shqetësimet kryesore të Moskës. Zoti Putin tha gjithashtu se nuk dëshironte që situata pranë Ukrainës të përshkallëzohej./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!