Kanë kaluar pothuajse shtatë dekada që kur Donika nga Frashëri i Përmetit dhe Agroni nga Skrapari u ulën për herë të parë në të njëjtën bankë shkolle në Vlorë.
Një vit i vetëm mjaftoi për të nisur një rrugëtim dashurie që do t’i mbante bashkë gjatë gjithë jetës.
“Për atë periudhë kemi bërë vërtetë një jetë të bukur, kemi punuar bashkë me shpirt dhe ndërgjegje. Kemi bërë punë të ndryshme, kemi lëvizur nga një qytet në një tjetër,”, thotë Donika Çuadari.
Të dy ishin vetëm 14 vjeç, kur prindërit i dërguan në shkollë larg vendlindjes. Pas përfundimit të 8-vjeçares, rrugët e tyre u bashkuan sërish dhe nuk u ndanë më.
Të dy përfunduan studimet e larta për mekanikë dhe nisën jetën bashkë, jo vetëm si bashkë-studentë, por si bashkëshortë dhe bashkudhëtarë në jetë.
“Të them të drejtën, jemi një nga çiftet më jetëgjata bashkëshortore. Unë jam rreth 88 vjeç dhe kjo rreth 87. Kemi shpresa të rrimë edhe nja 2-3 vite dhe ta mbyllim…”, tregon Agron Çuadari.
Sot pensionistë, Agroni dhe Donika tregojnë se jeta nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Për vite me radhë, Agroni mbajti postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Industrisë së Naftës dhe detyra të tjera e çuan larg familjes për periudha të gjata.
“Kemi bërë një jetë bashkëshortore shumë të mirë, natyrisht jo pa probleme. Jemi transferuar pasi unë mbarova universitetin në Tiranë. Nga zëvendësministër kam shkuar në periferi të Tiranës, një vit në Kombinatin e Laçit. Pastaj 3 vite në Fier, ku erdhi edhe zonja me mua atje.”, shprehet Agroni.
Në shtatë dekada bashkë, ata thonë se kanë përjetuar të gjitha ngjyrat e jetës, por Donika thekson sekretin e një martese të gjatë dhe të qëndrueshme.
“Është marrëdhënia mes njëri-tjetrit: dëgjimi, mbështetja, respekti. Këto janë gjëra të zakonshme, por këto e bëjnë njeriun të lidhet më shumë.”, tha Donika.
Çifti dy vajza, ndërsa sytë e zemra ju qesh kur flasin për pasardhësit.
“Kemi dy vajza të rritura dhe një nip me gjithë nusen. Sa herë bisedoj me tim shoq, jemi shumë të kënaqur nga jeta në shumë drejtime. Edhe për fëmijët, edhe për veten.”, rrëfen Donika.
Ata e quajnë veten një brez me pak kërkesa.
“Nuk pretendonim për shumë gjëra, kënaqeshim me pak. Ndërsa sot kanë ndryshuar të rinjtë, duan menjëherë shumë gjëra. Që kur zënë miqësinë apo dashurohen, duan lekët për shtëpinë, mobilimin… kanë probleme…”, shprehet ajo.
Pas shtatë dekadash krah për krah, historia e Donikës dhe Agronit është një dëshmi e gjallë se dashuria nuk matet me madhështinë e gjërave, por me qëndrueshmërinë në kohë, respektin, sakrificën dhe zgjedhjen e përditshme për të qenë bashkë./abcnews.al/


