Në gjurmët e rrugës “Egnatia” në Fier, e kanë përshkruar edhe Skënderbeu me Donikën

schedule16:15 - 11 Shtator, 2022

schedule 16:15 - 11 Shtator, 2022

Nga Ardjana Mile

Në antikitet, por dhe në vitet e mëvonëshme në Fier kalonte një prej rrugëve më të famshme, ajo Egnatia. Romakët ndërtuan një rrugë komunikimi midis Perëndimit dhe Lindjes, midis Adriatikut të Poshtëm dhe Egjeut verior.

Apolonia, falë pozicionit strategjik, fuqisë së saj ekonomike dhe politike, në shekujt e tretë dhe të dytë para Krishtit, do të ishte një nga pikat strategjike të kësaj rruge, që pas vitit 325, shkonte drejt Kostandinopojës.

Por historia dhe lavdia nuk kanë ecur në një drejtim me këtë thesar historik për Fierin. Sot Rruga Egnatia, përmendet vetëm në disa studime dhe nga pak historian.

Pak kush e di në Fier se ku ishte traseja e kësaj rruge të famshme historike, e cila lidhte Perëndimin me Lindjen dhe cili ishte fati i saj.

Me historianin, Ilirjan Gjika, u nisëm të kërkojmë rrugës Egnatia, degën jugore të saj. Rrugëtimin e nisëm aty ku sot ngrihet by pass-i i Fierit, mbi lumin Seman, mbi urat e shumta tij, ku në antikitet kalonte edhe rruga Egnatia.

Ndodhemi mbi urën e re mbi lumin Seman ose urën e re të bypass-it të Fierit që lidh autostradën Lushnje-Fier. Mendoj dhe aludohet nga historianët e antikitetit, se ndërtimi i kësaj vije rrugore, rivitalizoi deri në një distancë të caktuar në terren, degën e dikurshme të rrugës Egnatia, e cila dilte nga qyteti i Apolonisë, kodrat e të cilës shtrihen në jug-perëndim të lokacionit ku ndodhemi ne dhe nuk janë më shumë se 5-6 km. Nga Apolonia, dega jugore e Egnatiaa dilte, ecte anës kodrave të Kryegjatës, dilte diku në afërsi të Fierit të sotëm dhe pastaj merrte drejtimin për në kodrat e Mbrostarit”, tregon ai.

Por a u gjetën gjurmë të kësaj rruge historike gjatë ndërtimit të tij?

“Fatkeqësisht jo, ndoshta me kalimin e shekujve humbën. Pse? Krahina e Myzeqesë është krahinë e varfër me materiale ndërtimi. Dhe në periudha të caktuara historike, kur rruga Egnatia ka dalë jashtë funksionimit, atëherë popullsia vendase ka shfrytëzuar materialet e tyre, zhavorri, inertet, gurët për ndërtime të tjera”, thotë Gjika.

Udhëtimi vazhdon në një tjetër pjesë të rrugës antike, drejt Mbrostarit. Këtu në vitin 1969, bujqit gjatë punimit të tokës, gjetën gjurmë dhe objekte që dëshmojnë se këtu ka kaluar rruga Egnatia.

Këtu ndodhemi në vendin e quajtur “Bregu i madh”, pjesa perëndimore e Mbrostarit, e Mbrostarit të urave. Ja ku duken dy kodrat binjake të Apolonisë, ajo veriore 101 metra dhe ajo jugore 105, ku ndodhej Akropoli dhe tempulli i Artemisës. Duken pak më poshtë konturet e lumit dhe shtratit të lumit Seman. Dhe aludohet se këtu mund të kenë qenë një nga stacionet e para të kësaj rrugë. Pikërisht këtu, në vitin 1962, është bërë një nga zbulimet më interesante. Në Muzeun Historik Fier ruhet një shtyllë, guri miliar, me emrat e tre perandorëve romakë që daton në shekujt 3-4 pas Krishtit, e cila u gjet gjatë punimeve bujqësore dhe që është shenja më tipike, që këtu kalonte, pikërisht ajo trase, gjurmët e munguara të së cilës i kemi humbur gjatë shekujve”, tregon Gjika.

Traseja e rrugës Egnatia që këtu, nga Mbrostari, vazhdonte në drejtim të anës perëndimore të kodrave të Libofshës e më tutje të Ardenicës. Sipas historianëve, inxhinierët romakë ndërtuan një rrugë për të arritur më shpejt pranë qendrave të banuara. Manastiri i Ardenicës ishte një nga objektet më tipike, që dëshmon lidhjen e zhvillimeve të mëvonshme në raport me rrugën Egnatia. Largësia e këtij Manastiri nga rruga Egnatia nuk ishte më shumë se 1 km. Lidhej me të nëpërmjet një rrugice të ngushtë, të rrethuar nga selvi. Këtë rrugicë e shohim edhe sot pranë Manasitirit të Ardenicës.

“Lidhte të tëra zonat këtej poshtë Libofshën dhe me Manastirinin se vinim ne këtu për Pashkë. Rruga ka qënë me baltë”, tregon një banor.

Me historianin Ilirjan Gjika, u ngjitëm tek këmbana e Manastirit të Ardenicës, aty ku fushëpamja drejt zonës ku kalonte rruga Egnatia, është më e qartë.

Është pozicioni më i mirë për të ilustruar gjurmët dhe hapat që kemi ndjekur bashkërisht sot në kërkim dhe dokumentim të trasesë së Egnatias. Dhe pikërishtkëtu ku jemi, unë do të jap një provë: traseja për të cilën folëm, që shtrihet në perëndimin tonë, në rrëzë të kodrave të Ardenicës dhe pranë Libofshës së sotme, është përdorur edhe gjatë Mesjetës. Gjatë Mesjetës u quajt “rruga mbretërore”, sepse gjatë periudhës perandorake rruga Egnatia ka qenë një arterie që mori një përparësi të madhe dhe u përdor gjerësisht për lëvizjen, që nga nëpunësi,  perandorë, të njerëzve, mallrave, por edhe trupave ushtarake”, thotë historiani.

Historiani Gjika ndan me ne për herë të parë faktin historik, se Skënderbeu dhe Donika për të kurorëzuar martesën në prill të 1451 mbërritën në Manastirin e Ardenicës duke përdorur rrugën Egnatia.

Por gjatë mesjetës u  quajt edhe rruga e Muzakias dhe aludohet që edhe çifti Skënderbeu dhe Donika Arianitin erdhën pikërisht nëpërmjet kësaj traseje për të celebruar martesën e tyre në 26 prill 1451, pikërisht këtu ku ne ndodhemi sot. Ndoshta këto këmbana atëherë kanë lajmëruar ose celebruar ngjarjen më të rëndësishme që s’ishte vetëm martesë por dhe ngjarje politike e kohës. Gjithashtu, një provë tjetër është që, manastiri u ngrit pikërisht në këtë vend, sepse ishte pranë arteries se komunikimit. Ka qenë porta e vjetër e manastirit dhe selvitë e mbjella gjatë saj, që kufizonin rrugën, janë një tregues, selvitë shekullore, që lidhnin manastirin me rrugën tradicionale historike”, thotë Gjika.

Ndërsa banori Niko Ndreko rrëfen se sipas gojëdhënave brez pas brezi kjo rrugë është përdorur edhe nga Ismali Qemali.

Bile thonë që në një farë mënyre, edhe kalimi i Ismail Qemalit në Libofshë në nëntor 1912, pikërisht ndoqi rrugën më të thjeshtë: gjurmët e rrugës Egnatia, të cilën kalorësia dhe të gjithë ata që e shoqëronin, e kishin shumë herë më të thjeshtë të kalonin në gjurmët e një rruge ekzistuese sesa në mocalishte”, thotë ai.

Ilirjan Gjika sqaron se rruga ka ekzistuar edhe para se të merret emrin Egnatia.

Ajo u quajt Egnatia, se prokonsulli i Maqedonisë Gneius Egnatius, prokonsulli romak, e pajisi me parametrat optimalë të një rruge moderne dhe efikase për kohën. Dhe mori emrin e tij. Ajo ka pasur, ndoshta një emërtim lokal, sepse rruga Apoloni – Dyrrah ka ekzistuar që në shekullin VII para Krishtit. Më vonë, në shekullin III Para Krishtit, kur romakët u vendosën në këtë rajon, ata filluan ta përdornin. E rëndësishme është kjo sinjalistikë vertikale që ne trashëgojmë sot: çdo 1 milje (çdo 1000 hapa romake) kishte një gurë të tillë miliar që tregonte distancën, nga segment i caktuar në një segment tjetër të caktuar të rrugës. Dhe këta gurë miliar që kanë emër perandorësh romakë dhe disa emra perandorë romakë me origjinë ilire është interesante se pse e kanë të shënuar emrin e tyre dhe datën, sepse rruga është rikonstrukruar në kohën e tyre”, thotë Gjika.

Historianët dhe arkeologët mund të vijojnë kërkimet për të zbuluar të tjera të dhëna mbi rrugën Egnatia. Ndërsa institucionet duhet të vendosin një sinjalistikë turistike të gjurmës të një ndër rrugëve më të lashta në Europë. /abcnews.al