Shqiptarët rekord në Europë, minorenët të vetëm rrugëve të BE-së e Britanisë

schedule07:31 - 29 Prill, 2020

schedule 07:31 - 29 Prill, 2020

Prindërit shqiptarë duken aq të dëshpëruar saqë nuk ngurrojnë që të nisin fëmijët e tyre të pashoqëruar rrugëve të Europës, me shpresën se ata do të sigurojnë dokumentet dhe do të kenë një jetë më të mirë.

Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se në vitin 2019 u regjistruan 395 minorenë të pashoqëruar midis azilkërkuesve nga Shqipëria, që u regjistruan në Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe në vitin 2019.

35 prej tyre ishin femra (rreth 9%).

Gjithsesi, në krahasim me një vit më parë numri i tyre ka rënë me rreth 20%.

Britania e Madhe është vendi që ka pasur numrin më të lartë të kërkesave, me 230 aplikime (15 prej të cilëve vajza), ose gati 60% të totalit. Rruga kryesore që ndiqet për të shkuar në Britani është përmes kamionëve, ku fëmijët mund të jenë të shoqëruar gjatë rrugës, por më pas paraqiten sikur janë vetëm, me synim përfitimin e dokumenteve.

Më pas renditet Gjermania (40 minorenë), Belgjika (25), Suedia (20)- shih grafikun.

Në Europë (jo BE), kjo tendencë e minorenëve të pashoqëruar, që aplikojnë për azil është kaq e dukshme vetëm nga Shqipëria. Nga shtetet e tjera të rajonit, nga Serbia kishte 20 aplikime, nga Kosova 15 dhe nga Maqedonia 10. Nga Bosnja dhe Mali I Zi nuk kishte aplikime të minorënëve.

Aplikimet në total

Sipas Eurostat, në vitin 2019, 13 800 azilkërkues që aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në 27 Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u konsideruan të mitur të pashoqëruar, gati 20% më pak se në 2018 (16 800), duke vazhduar trendin rënës që filloi pas viti i pikut 2015 (92 000).

Në vitin 2019, në nivelin e BE, të miturit e pashoqëruar përbënin 7% të të gjithë aplikantëve për azil të moshës më pak se 18 vjeç.

Shumica e të miturve të pashoqëruar ishin meshkuj (85%). Dy të tretat ishin të moshës 16 deri në 17 vjeç (9 200 persona), ndërsa ata të moshës 14-15 vjeç përbënin 22% (3 100 persona) dhe ata të moshës më pak se 14 vjeç për 11% (1 500 persona).

Dy në tre aplikantë për azil që konsideroheshin të mitur të pashoqëruar në BE në vitin 2019 ishin shtetas të gjashtë vendeve: Afganistan (30%), Siri dhe Pakistan (të dy 10%), si dhe Somali, Guinea ose Irak (5% secila).

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!