Shqiptarët paguajnë shkarkimet e padrejta nga administrata, detyrimi mbi 4 miliard lekë

schedule15:24 - 9 Korrik, 2020

schedule 15:24 - 9 Korrik, 2020

Shqiptarët vijojnë që të paguajnë me taksat e tyre shkarkimet e padrejta të punonjësve nga administrata.

Sipas të dhënave të ministrisë së financave rezulton se në tre muajt e parë të vitit 2020 detyrimet për shkarkimet e padrejta nga puna janë rritur me 18% duke arritur në mbi 4 miliard lekë ose 32 milion euro. Ndërkohë nëse e krahasojmë me fillimin e vitit 2019 rritja është 2.3 miliard lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për t’i paraprirë akumulimit të borxheve , përveç një monitorimi periodik, vazhdimisht i ka kërkuar institucioneve buxhetore, përmes aplikimit me këste të pagesës për përfituesit ose zhvendosjes në kohë të të barrës së tyre buxhetore.

Problem mbetet edhe pagesa e detyrimeve ndaj kompanive që realizojnë punime kryesisht në infrastrukturë.

Stoku total i detyrimeve të krijuara në buxhet vlerësohet se është 6.53 miliard lekë. Ministria e Infrastrukturës rezulton  institucioni i cili ka peshën më të lartë të detyrimeve të prapambetura të lidhura direkt me vonesat e pagesave të kompanive të mirëmbajtjes së rrugëve si dhe rimbursimin e TVSH-së.

Ministria e Mbrojtjes renditet e dyta përsa i përket nivelit të borxheve deri në mars të 2020 me 1.2 miliard lekë  e ndjekur nga ministria e  brendshme  me 1.1 miliard lekë borxhe këto të krijuara ndaj individëve por dhe ndaj subjekteve.

Pas dy ministrive renditet drejtoria e tatimeve me 728 milion lekë detyrime të krijuara kryesisht nga vonesat e rimbursimit të TVSH ndaj bizneseve të ndryshme.

Ky problem është ngritur shpesh edhe nga institucionet ndërkombëtare  si dhe vetë kompanitë.

Vonesat në rimbursim rëndojnë edhe më shumë gjendjen e bizneseve në Shqipëri të cilat janë goditur rëndë edhe nga pandemia.

Vetëm tre ministri rezultojnë pa detyrime, drejtësia, bujqësia dhe ministria  e Jashtme.