Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë 29.52% të popullsisë. Statistikat e fundit janë bërë publike nga Enti Shtetëror i Statistikave këtë të mërkurë, bazuar në rezultatet e regjistrimit të mbajtur nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021. Në këtë hark kohor ka rezultuar se numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1,836,713 banorë.
Sipas këtyre të dhënave, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente: 58.44% e tyre janë deklaruar maqedonas, 3.84% turq, 2.53% janë nga komuniteti rom , 0.47% janë vllehë, 1.3% serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë.
Enti Shtetëror i Statistikës publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jo rezidente. Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind si serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.
Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo në rreth 9 për qind në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002. Po ashtu, në bazë të të dhënave, nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, janë grupi i dytë më i madh etnik në vend. Të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur pas luftës së vitit 2001. Kur Maqedonia shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia, e cila po shpërbëhej përmes luftërave të përgjakshme që sapo kishin filluar, shqiptarët që përbënin realisht më shumë se 30% të popullsisë, kërkuan përfaqësimin në bazë të kësaj përqindjeje. Por kjo nuk u arrit, të paktën jo me mjete paqësore. U desh të vinte konflikti i vitit 2001 dhe marrëveshja e Ohrit që e pasoi atë, që shqiptarët të fillonin të përfaqësoheshin hap pas hapi, gjithnjë e më shumë në shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Lexo edhe: Politika e numrave dhe shqiptarët e Maqedonisë!
Me ndryshimet kushtetuese që ishin bërë në vitin 2002, të drejtat e shqiptarëve janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet.
/abcnews.al