Shqiptarët po preferojnë gjithnjë e më tepër një pasaportë nga vendet e BE. Një fakt i tillë reflektohet edhe në shifrat e publikuara nga institute Europian i Statistikave, sipas të cilit 391 mijë shqiptarë janë pajisur me pasaportë të vendeve të BE-së që prej vitit 2002.
Rreth 391 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësi të huaj në harkun kohor të 15 viteve. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave, nga viti 2002 deri në 2017 kanë marrë nënshtetësi në një nga vendet e BE-së plot 390,889 persona, ose rreth 14% të popullsisë që jeton aktualisht në Shqipëri.
Po sipas të dhënave të EUROSTAT, Greqia dhe Italia janë dy shtetet që kanë dhënë numrin më të madh të pasaportave për shqiptarët, kjo edhe për shkak se numri më i lartë i emigrantëve kanë shkuar në këto dy vende pas viteve ’90. Siç e tregon dhe grafiku në shtetin helen kanë marrë nënshtetësinë rreth 180 mijë shqiptarë, ndërsa në Itali rreth 176 mijë.
Greqia i ka dhënë nënshtetësitë e para për shqiptarët që nga viti 2007, por gjatë 2017-s ka dhënë një numër rekord prej gati 30 mijë të tilla.
Italia ka dhënë për herë të parë nënshtetësi në 2008-n, por arriti rekordin në vitet 2015-2016 me rreth 35-36 mijë pasaporta për çdo vit.
Shteti i tretë më dorëlëshuar me nënshtetësinë ka qenë Britania e Madhe, me rreth 11 mijë shqiptarë që kanë marrë pasaportë britanike. Por vitet e fundit Britania e ka ulur ndjeshëm numrin e pasaportave që jep për shtetasit shqiptarë, 315 pasaporta në 2017, nga 1400 që dha në 2009.
Sipas EUROSTAT vitet e fundit vihet re një tendencë gjithnjë e në rritje nga shtetasit shqiptarë të cilët zgjedhin një pasaportë europiane kundrejt asaj shqiptare. /abcnews.al