Shqiptarët kanë nevojë për art për të ushqyer shpirtin. Duke përdorur shprehjen hit te kreut të qeverisë “lani duart” drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli i është drejtuar kryeministrit me një letër ku i kërkon mbështje për artistët.
Sipas kreut të Teatrit Kombëtar shqiptarët në këtë kohë kanë nevojë edhe për “larje shpirti” dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet artit i cili aktualisht ndodhet në vështirësi dhe ka nevojë për mbështetje financiare.
“Z. Kryeministër, shkurt fjala, nga ju kërkoj një paketë mbështetje kulturore, se për mua, nuk mjafton që laj duart”.
Kreu i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli shprehet se aktorët po përballen me probleme të theksuara në bërjen e provave për veprat skenike të cilat në këtë situatë mund të ishin online.
“Ne, shfaqjen (programin on-line) do ta bëjmë sidoqoftë, por do jetë shumë dëshpëruese që cilësia të vihet në dyshim sepse nuk kemi asnjë mbështetje për produksione të tilla. Teatri Kombëtar, ndryshe nga çdo teatër serioz në Europë, nuk ka asnjë mundësi teknike për të lehtësuar produksionin. Ne na mungojnë studiot e post-produksionit që merren me montimin me cilësi të lartë artistike të imazhit, muzikës, titrimit, e të tjera e të tjera”, shprehet ai.
Çuli shkruan se qeveria i ka mundësitë të mbështesë këtë iniciativë të Teatrit Kombëtar pasi Qytetarët e ngujuar në shtëpi, do të mund të gjejnë programe edukative në lartësinë e krijimtarisë artistike të institucioneve dhe do të mund të shkëputeshin nga banaliteti i produkteve vulgare që shoqërojnë rëndom rrjetet sociale këto kohë./abcnews.al

