“Shqipërisë i mungojnë 16 mijë punonjës të kulturës”, Llozi: Duhet të kapim pragun 1.5% që të marrim fonde nga BE

schedule10:41 - 1 Tetor, 2024

schedule 10:41 - 1 Tetor, 2024

Dekan i Fakultetit të Muzikës dhe violinisti i njohur, Arben Llozi, ka deklaruar në emisionin ‘Pas Mesnate’ se Shqipërisë i mungojnë 16 mijë punonjës të kulturës.

Ai ka theksuar se duhet të kapim pragun e 1.5 përqind, në mënyrë që të marrim fonde nga Bashkimi Europian.

Sakaq, Llozi ka thënë se degët e muzikës janë në rrezik mbylljeje, pasi ka nga ato që kanë shumë pak studentë si për shembull, tunxhi, i cili ka vetëm dy të tillë.

“Në qoftë se je i zoti jetohet me këtë zanat. Nëse je i talentuar dhe po i pate bërë yzmetin aq sa duhet, dhe në qoftë se ti i jep kohën e duhur, jetohet.

Nuk është qëllimi të kemi prurje në Fakultet. Sot në Bashkimin Europian, 3.7 % e punonjësve punojnë në sektorin e kulturës. Janë 8milionë e 700 mijë njerëz që punojnë në sektorin e kulturës. Tani kur bëhet klasifikimi, BE Shqipërinë nuk e fut, fut Malin e Zi, Maqedoninë se e kanë kaluar pragun 1.5%. Ne sot që flasim jemi te 0.3%, prandaj nuk na fusin. Sot na mungojnë nja 16 mijë punonjës të kulturës. Ça ndodh? Ne sot prodhojmë në vit 160 studentë, që mbarojnë shkollën në të gjithë masterin. Ne na duhet nja 100 vjet që të kapim atë që kemi nevojë sot. Ne do na vijnë sirianë, marokenë, kinezë, që të plotësojmë numrin. Se kjo është turp që ne mos të futemi në Europë se nuk kemi punonjës kulture. Kjo është e tmerrshme.

Unë kam dhënë dhe propozime, por një nga më të fortat që kam dhënë, kam thënë që sot arti sot ka nevojë për një sërum. Se ne jemi në një gjendje shoku. Ka vende pune dhe nuk ka trombist për shembull. Tkurrjen më të madhe e ka frymëmarrja, sidomos tunxhi që janë vetëm dy student”, u shpreh Llozi/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!