Nga emisioni VETTING
Plotësimi i kushteve për integrimin në BE dhe NATO ishte premtimi solemn i liderit të demokratëve Sali Berisha në vitin 2005. Ishte entuziazëm që kapërcente atë sallë, ishte përtej Partisë Demokratike. Pati shpresë për një rrugëtim të ri drejt konsolidimit të demokracisë. Sepse shqiptarët besuan Berishën e herës së dytë, duke shpresuar se kishte mësuar nga gabimet e bëra gjatë qeverisjes së parë në vitet 1992-1997.
Berisha dhe Partia Demokratike i fituan zgjedhjet e tre korrikut 2005 për të nisur qeverisjen e mandatit të parë me reforma të rëndësishme të cilat u vlerësuan nga Brukseli. Brenda mandatit të parë të qeverisë Berisha, Shqipëria ia doli të bëhet anëtare e NATO-s si dhe të liberalizojë vizat me vendet e Bashkimit Evropian. Por Berisha dhe PD nuk ia dolën të plotësojnë të gjitha kushtet për të avancuar shpejt në drejtim të integrimit. Njëri prej kushteve dhe më kryesori do të mbetej vetëm premtim.
Nëpër raportet e Bashkimit Evropian vazhdonte të renditej fjalia: u bënë hapa përpara në procesin zgjedhor por zgjedhjet nuk konsiderohen të lira dhe demokratike. Pas zgjedhjeve të qershorit 2009, opozita socialiste kontestoi zgjedhjet me pretendimin se ishin manipuluar. Opozita braktisi parlamentin me moton: hap kutitë ose largohu…
Megjithë klimën politike konfliktuale, nëntor 2009, Komisioni Evropian i dorëzoi Shqipërisë pyetësorin në lidhje me përgatitjen e vendit për anëtarësim. Nisën edhe negociatat për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ishte një ndër shanset më të rëndësishme të Shqipërisë për të avancuar me hapa të shpejtë drejt anëtarësimit sepse Brukseli reduktoi disa nga kushtet që kishte vendosur me qëllim përshpejtimin e procesit.
Ndërkombëtarët nuk pushuan me thirrjet për bashkëpunim ndërmjet maxhorancës dhe opozitës në funksion të integrimit. Paralelisht me kontestimet për zgjedhjet, qeverisja e mandatit të dytë të Berishës kryeministër do të shënjohej nga njollat e forta të korrupsionit.
Pati akuza për korrupsion që do të sillnin revoltën e popullit opozitar që do të pasohej me ngjarje të rënda si ajo e vrasjes në bulevard të katër qytetarëve në protestën e drejtuar nga socialistët.
Pavarësisht situatës konfliktuale mes palëve politike, Shqipëria vazhdonte të qëndronte pranë portës së BE-së midis kushteve dhe negociatave për të mbërritur në vitin 2012 me tri ligje të cilat u cilësuan ligjet e integrimit. Shqipërisë i kërkohej të miratonte tri ligje që kërkonin shumicë të cilësuar dhe ishte fjala: “Për disa ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë”; “Për statusin e nëpunësit civil”; “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë”.
Por opozita socialiste e drejtuar nga Edi Rama dukej e vendosur për të mos i miratuar këto ligje. Kushtet e Ramës lidheshin me parregullsitë në zgjedhje dhe bëhej fjalë për disa këshilltarë të zgjedhur të qarkut të Fierit dhe një vendim të Gjykatës së lartë që legjitimonte zgjedhjen e këshilltarëve socialistë.
Për rreth dy vite, dy palët nuk u tërhoqën nga qëndrimet e tyre, dhe tri ligjet nuk u miratuan duke u kthyer kështu në mur pengese për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian.
Qenë me dhjetëra zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian por edhe të SHBA-së që këshilluan palët politike në Shqipëri të gjejnë gjuhën e përbashkët për të votuar tri ligjet e integrimit. E megjithatë lutjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve shkuan në vesh të shurdhër.
Në prill të vitit 2013, Edi Rama shpalli koalicionin me LSI-në, liderin e së cilës kishte akuzuar për korrupsion, prej të cilit Rama kishte çuar në shesh mijëra shqiptarë për të protestuar e ku do të mbeteshin të vrarë katër prej tyre. Megjithatë, nevoja për pushtet do ta çonte në shtrëngim duarsh me Ilir Metën, dhe kështu po paralajmërohej fitorja në zgjedhjet e qershorit.
Pak kohë pas marrëveshjes me Metën, Rama do të merrte vendimin për të miratuar edhe tri ligjet. Në fakt asgjë nuk kishte ndryshuar në përmirësimin e zgjedhjeve apo të elementeve të tjerë të demokracisë. Në klimën e shpresës për fitore Rama dhe partia socialiste e dhanë votën pro tri ligjeve pasi dukej një investim I rëndësishëm në prag të pushtetit.
Rama dhe socialistët në koalicion me LSI-në, fituan 1 milion vota, dhe patën maxhorancë absolute pas zgjedhjeve të qershorit 2013. Kishte ardhur koha që Edi Rama të realizonte ëndrrën e tij për të zhvilluar zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Edi Rama dhe koalicioni i tij i kishte të gjitha mundësitë që të krijonte një klimë të re besimi, një vend ku vota nuk do të prekej kurrë më, ashtu siç vetë kishte premtuar për tetë vite në opozitë, kohë kur ai shpesh e cilësoi veten dhe partinë që drejtonte, si si viktimë e manipulimit të zgjedhjeve
Megjithëse ishin votuar tri ligjet, Brukseli mori një vit kohë për të dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Më 27 qershor 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat.
Brenda pak kohësh, Këshilli Evropian përcaktoi pesë përparësi kryesore:administrata publike; sundimi i ligjit; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; të drejtat themelore ku përfshihej e drejta e votës), kushte këto që Shqipëria duhej të përmbushte përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit.
Socialistët kishin premtuar se brenda mandatit të parë do të hapeshin negociatat me Bashkimin evropian por mesa po dukej kushtet vetëm do të shtoheshin. Gjatë mandatit të parë të Ramës, jo vetëm që nuk po bëheshin hapa përpara drejt shtetit të së drejtës por po konstatohej me dëshpërim nga BE dhe SHBA se krimi kishte zënë vend në nivelet më të larta të politikës.
Ligji i dekriminalizimit do të shtohej në listën tashmë të gjatë të kushteve të BE-së për integrimin. Në vitin 2016, Komisioni Evropian i propozoi për herë të parë Këshillit fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të një progresi konkret në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçanti të “Vettingut” të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndërsa ishte premtuar dhe pritej një reformë e thellë në drejtësi, dosja 184 dhe 339 do të hidhnin dyshime serioze në proceset zgjedhore të organizuar nga maxhoranca e drejtuar nga Edi Rama. Një përgjim i publikuar nga media gjermane Bild do të shfaqnin anën e errët të një procesi zgjedhor ku vota ishte cënuar. Ishte fjala për zgjedhjet në Dibër ku do të evidentohej presioni i pushtetit ndaj votuesve, zyrtarëve të pushtetit vendor dhe arsimit, të cilët u vunë nën presion për të siguruar vota për Partinë Socialiste.
Në dosjen 339 do të vihej re se si zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, të zgjedhur vendor nga PS, do të përfshiheshin në dyshime për shit-blerjen e votës përmes pazareve e personazhe të botës së krimit. Këto dy dosje e rrëzuan përfundimisht shpresën se kjo maxhorancë dhe vetë kryeministri ishin të interesuar për proces zgjedhor ku shenjtëria e votës ishte e panegociueshme, ashtu siç kishte premtuar për 8 vite me radhë Edi Rama, kur ishte në opozitë.
Edhe pse me një shpresë të venitur për avancim në konsolidimin e demokracisë, ndërkombëtarët vazhduan përpjekjet për të afruar shqipërinë me BE-në. Më 17 prill 2018, në Paketën vjetore të Zgjerimit, Komisioni Evropian rekomandoi që Këshilli të vendosë që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë nën dritën e përparimit të shënuar, ruajtjes dhe thellimit të reformave nga Shqipëria.
Rama do të vazhdonte të paralajmëronte qershoret e tij të hapjes së negociatave, por hapat e BE-së do të ishin shumë të ngadaltë ndërsa kushtet e integrimit do të shtoheshin nga shtatë në 9 dhe më pas në 13 të tilla.
Qershorët e integrimit vinin, por vetëm si paketa për të ritheksuar kushtet apo për ti shtuar ato. Kështu më 29 maj 2019 Komisioni Evropian prezantoi Paketën vjetore të Zgjerimit, duke rekomanduar sërish hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Por në atë kohë kishte skeptikë në radhët e vendeve anëtare të bashkimit Evropian.
Më 18 tetor 2019 Këshilli Evropian mori në shqyrtim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Pengesat që po vinin në ecurinë e procesit, për palën shqiptare nuk lidheshin me mangësitë nga Shqipëria por ato lidheshin me problematikën Brenda këtyre vendeve apo Brenda BE-së.
Më 25 mars 2020, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së vendosi sërish të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, duke marrë parasysh progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara në unanimitet nga Këshilli i qershorit 2018.Por procesi nuk u konkretizua. Ka këndvështrime të ndryshme sa I përket pengesave që erdhën nga Brenda BE-së apo ato që lidhen me detyrimet e palës shqiptare.
Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por këto vendime janë ende në letër pasi negociatat ende nuk janë hapur.
Përgjatë këtyre mandateve qeveritarë që alternohen ndërmjet maxhorancave demokrate dhe socialiste, vendet fqinje kanë ecur më shpejt drejt integrimit. Serbia është disa hapa para shqipërisë edhe pse në historinë e saj të afërt është genocidi ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Shqipëria është mbrapa Malit të Zi në rrugën drejt BE-së!
Në sfondin e kësaj historie 32 vjeçare të përpjekjeve për integrim, shfaqen liderët shqiptarë që përmes retorikave shpesh tallëse me procesin, tentojnë ta kalojnë hallin e dështimit tek problematikat brenda BE-së.
Si në një histori me nuse e dhëndër të një dasme që po vonohet.. shfaqen pasionet e fillimit. Me kalimin e viteve, pritjes së gjatë dhe refuzimeve gjithashtu, dhëndri duket se ka vrarë shpresën dhe po nis të kërkojë për tjetër nuse.
Këtë qershor, kur supozohej të ishte koha e hapjes së negociatave, kryeministri Rama shfaqet në samitin e ballkanit të hapur për të dhënë sërish mesazhin e një lidhje dramatike dashurie ndërmjet Shqipërisë me BE-në, që me sa duket është në rrezik dështimi. Asnjë vend në Evropë nuk ka shpenzuar kaq shumë vite për të ecur kaq pak në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Kur komisionerin për zgjerimin, Oliver Várhelyi dëgjoi pyetjet e mediave shqiptare nëse Brukseli po tallej me Shqipërinë përmes zvarritjes së hapjes së negociatave për anëtarësim, iu desh të përtypte për pak çaste logjikën e pyetjes. Ai u përgjigj me etikë dhe renditi disa arsye pse Brukseli nuk po tallej me Shqipërinë por në fakt përgjigja e tij mbeti përgjysëm pasi për të gjithë ata shqiptarë apo ndërkombëtar që kujtojnë zhvillimet e dhjetë viteve më parë, do të sjellin patjetër në vëmëndje talljen që shqiptarët bënë me veten e tyre në vazhdimësi. Dhe jo vetëm dhjetë vite më parë por edhe 10 të tjera më herët, 30 vitet e fundit…
Elita shqiptare është tallur me çështjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sepse Shqipëria është i vetmi vend në rajonin e ballkanit që nuk ka asnjë proces zgjedhor të lirë dhe demokratik. Padyshim ky është thelbi i demokracisë. Pa zgjedhje të lira nuk ka asnjë shans të plotësohen kriteret e tjera. Shqipëria është i vetmi vënd në ballkan ku vota shitet e blihet. Kjo është tallja më e madhe që elitat qeverisëse ndaj popullit ndërsa vetë populli tallet me fatet e tij kur e shet votën për një thes miell.
/abcnews.al