Kryeministri Edi Rama ka njoftuar zyrtarisht përmes rrjeteve sociale se Shqipëria do të mirëpresë ngjarjen rajonale “Regional AI Hackathon 2025”, e cila do të mbahet më 14 tetor në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.
Ky aktivitet synon të sjellë së bashku të rinj, inovatorë, institucione arsimore, biznese dhe aktorë financiarë për të zhvilluar zgjidhje konkrete përmes inteligjencës artificiale. Fokusi i hackathon-it do të jetë në fusha kyçe si shëndetësia, arsimi, qytetet inteligjente dhe zhvillimi i qëndrueshëm, me qëllimin për të nxitur transformimin dixhital të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Projektet më të mira do të kualifikohen për fazat e mëtejshme të AI Bootcamp dhe Hackathon-it final në nëntor. Aplikimet janë të hapura deri më 3 tetor 2025.
“Regional AI Hackathon 2025” po vjen në Shqipëri. Tiranë, Pallati i Kongreseve, 14 Tetor 2025. Ky nuk është thjesht një event është një sfidë reale për të krijuar ndryshim me inteligjencën artificial. Të rinj, inovatorë, universitete, biznese dhe banka do të bashkojnë forcat për t’i kthyer idetë e tyre me AI në zgjidhje konkrete.
Nga shëndetësia tek qytetet “inteligjente”, arsimi dhe qëndrueshmëria, do të eksplorojmë së bashku se si AI mund të transformojë Ballkanin Perëndimor.
Projektet më të mira do të përzgjidhen për AI Bootcamp, (14 Tetor 2025) & Hackathon (Nëntor 2025) për të zhvilluar prototipet dhe për t’i prezantuar për financim dhe mbështetje! Mos e humbisni këtë mundësi unike. Aplikimet mbyllen më 3 Tetor!”, ka shkruar kryeministri Rama./abcnews.al

