“Shqipëria nuk ka nevojë për mbështetje financiare për të bërë reformat”, Rama: Me rëndësi integrimi në tregun e brendshëm europian

schedule12:41 - 22 Janar, 2024

schedule 12:41 - 22 Janar, 2024

SHKUP – “Shqipëria nuk ka nevojë për mbështetje financiare për të bërë reformat”- kështu u shpreh kryeministri Edi Rama nga Shkupi ku mori pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria nuk ka nevojë për mbështetje financiare për të bërë reformat që ka bërë dhe për të bërë këto reforma sepse këto janë reforma, të cilat ne përpiqemi t’i bëjmë prej vitesh dhe nuk kemi kërkuar asnjë mbështetje financiare, së bashku me të tjerët, dhe e thashë më ka rënë goja gjithë këto vite, ja ku vijmë sot që po të kishim  bërë në këto vite gjënë e duhur, sot nuk do të kishim nevojë të nxitonim dhe të shtrëngonim si të thuash rripin e përbashkët për të bërë sa më shpejt diçka që mund ta kishim bërë gati me kohë. ” -tha Rama ndërsa theksoi rëndësinë e integrimit në tregun e përbashkët europian.

“Është shumë herët për të folur për këtë. Unë besoj që e rëndësishme ne të bëjmë këtë pjesë dhe nga ana tjetër po kaq e rëndësishme është të kuptohet që pjesa më e rëndësishme e këtij procesi nuk janë këto miliardat, janë shumë patjetër të rëndësishme për ne, por është integrimi në tregun e brendshëm europian. Për shembull me integrimin në tregun e brendshëm europian vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët – sepse ju e keni parasysh sa shumë bashkëqytetarët tanët janë jashtë dhe bëjnë transaksione financiare, çojnë para për familjet e tyre, çojnë para për sipërmarrjet e tyre të vogla etj, etj. – Vetëm nga kjo në këtë proces, parashikohet që qytetarët shqiptarë mund të kursejnë mbi 20 milion euro në vit, vetëm nga këto. Kështu që, janë shumë e shumë gjëra të tjera që do t’i ndihmojnë shumë ekonominë, do t’i ndihmojnë shumë bizneset. Për të mos folur për miliona të tjera që bizneset e këtij rajoni shpenzojnë ndërkohë që janë jashtë konkurrencës me të tjerët pasi të tjerët për të njëjtat gjëra nuk ka nevojë të bëjnë shpenzime të tyre sepse shfrytëzojnë mekanizmat që janë brenda tregut Bashkimit Europian dhe brenda vetë Bashkimit Europian, brenda vetë Komisionit Europian.” vijoi më tej Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!