Një thesar i fshehur që po zbulohet ngadalë. Shqipëria është një tokë e panjohur me male dhe plazhe të bukura, në jug-lindje të Europës. Një vend me histori të mbajtura të fshehta me shekuj duke pritur për zbuluesit.
Është ky përshkrimi që i bëhet Shqipërisë në hyrje të një reportazhi të kryer nga televizioni brazilian “O Globo”.
Në emisionin e gazetares Gloria Maria prezantohen bukuritë e vendit tonë, plazhet, ushqimet tradicionale, pikat turistike e pasuritë kulturore e historike, si edhe bunkerët e periudhës komuniste.
E dashuruar veçanërisht me bukuritë e jugut gazetarja thotë se Parku Kombëtar i Butrintit është mahnitës. Për plazhin e Ksamilit thotë se është më i bukuri në rajon, ndërsa arkitekturën dhe traditën gjirokastrite, Gloria e përshkruan si diçka magjepsëse.
Vëmendjen e gazetares braziliane e tërhoqën në veçanti fasadat shumëngjyrëshe të pallateve të vjetra. Një kureshtje që ia shuajti, ideatori i lyerjes së tyre, kryeministri Rama.
“Erdhi nga nevoja që kishim edhe pse nuk kishim buxhet. Bëmë shumë për qytetin duke i dhënë frymë dhe e ngjyrosëm. Doli që ishte një ide e mirë”.
Harmonia fetare gjithashtu ishte pjesë e reportazhit të gazetares, e cila u ndal në kryegjyshatën e bektashinjve në Tiranë. Shqipëria përshkruhet si një vend i lirë, demokrat e tolerant që është në rritje./abcnews.al