Shqipëria në rrezik nga sulmet terroriste iraniane? Karamuço: Situata është në nivele të rrezikshme

schedule20:08 - 3 Tetor, 2022

schedule 20:08 - 3 Tetor, 2022

Hakerat iranianë kanë publikuar të tjera të dhëna të marra nga sistemet e Policisë shqiptare që konsiderohen mjaft sensitive.

Ata kanë nxjerrë të gjithë informacionin policor për personat e dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale, nga veprat më të rënda e deri tek më të lehtat. Në to përfshihen emrat, fotot dhe të dhënat e mbi 100 mijë personave.

Profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço, i ftuar në “Radari Informativ” në Abc, me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se listat e publikuara nuk janë sipas formateve të Policisë së Shtetit. Sipas tij, janë manipuluar si lista për të shkaktuar debat dhe përplasje publike.

Karamuço: Nuk janë skedarë. Në momentin që i kemi analizuar na ka shkuar mendja që ishin pjesë e MEMEX, aty bëhet fjalë për 100 mijë persona. Kjo ishte shumë masive. Nuk janë sipas formateve të policisë së shtetit. Ka nisur një hetim. Mund të jenë ose të manipuluara si skedarë nga vetë ata ose mund të jenë disa lloj skedarësh që përdoren kur ti merr një pasaportë. Janë manipuluar si lista për të nxjerrë disa prej tyre që të krijojnë një debat publik. Qëllimi i tyre është frika, terrori dhe sidomos përplasja e personazheve të medias me ata të politikës.

Karamuço theksoi se qytetarët duhet të dinë se sa të mbrojtur janë. Madje shtoi se publikimi i të dhënave në mënyrë të përsëritur tregon paaftësinë e institucioneve për të vepruar.

Karamuço: Këtu po flasim a ka sekrete shtetërore që kanë rrjedhur? Po ka. Kemi parë se si janë publikuar përmes shkresave, e-mailive. Të dhënat sensitive janë të dhëna personale që nuk duhet të shpërndahen pa pëlqimin tonë personal. Ajo që duhet të dimë nga institucionet shqiptare është se sa i mbrojtur është qytetari sot, ku ndodhen sot të dhënat, pse nuk po i heton, pse nuk po i bllokon këto faqe. Mënyra se si këta arrijnë çdo javë nxjerrin të dhëna sensitive do të thotë se ne nuk jemi të aftë të mbyllim Telegramin ose pjesë të saj, do të thotë që jemi përballë disa armiqve, jo përballë një armiku. Nuk ka transparencë për dëmin e plotë.   E bëjnë vetëm për të krijuar një reaksion, për të krijuar tensione sepse qëllimi kryesor i tyre është të krijojnë destabilizim.

Por sa e rrezikuar është Shqipëria nga sulmet terroriste me anë të droneve. Karamuço deklaroi se kjo është e pamundur, pasi dronet nga Irani duhet të kalojnë përmes 3 shteteve të NATO-s që të mbërrijnë në Shqipëri. Kjo do të bënte të mundur menjëherë gjurmimin e tyre nga dronet e NATO-s.

Karamuço: Është e pamundur, edhe kjo është në kuadër të luftës psikologjike. Është e parë se çfarë aftësish kanë ata me dy llojet e droneve që kanë sot. Të dyja llojet e droneve që kanë mund të fluturojnë në ajër për 24 orë, por distanca është 2400 kilometra nga Irani. E kanë të pamundur. Minimalisht kalon nëpër 3 shtete të tjera anëtare të NATO-s që kanë dronët e tyre. Ne jemi të mbrojtur nga kjo. Situata është në nivele të rrezikshme jo vetëm në Shqipëri por në gjithë rajonin. Duhet parë më shumë seriozitet dhe duhen qetësuar qytetarët.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!