Shqipëria në prag krize energjitike: Kaskada e Drinit në kuota minimale, Fierza në nivelin më të ulët që prej 2002

schedule15:43 - 20 Mars, 2022

schedule 15:43 - 20 Mars, 2022

Nga Erblina Mile

Rezerva energjitike në vendin tonë ka arritur në nivelet më të ulëta historike duke paralajmëruar  një krizë energjitke. Sipas të dhënave rezulton se në mes të marsit 2022, niveli i Fierzës ka rënë në 261.1 metër mbi nivelin e detit ose më i ulëti i regjistruar që prej vitit 2002  .

Në bazë të rregullores që  menaxhohen hidrocentralet, parashikohet që Fierza duhet të ketë  për periudhën  tetor –  mars kuotën 289  deri në  290 metra. Nëse bën një krahasim niveli i Fierzës është rreth 30 metra më pak.

Në fillim të këtij viti, situata është përkeqësuar  sepse kaskada është shfrytëzuar maksimalisht për të prodhuar energji me arsyetimin se çmimi në bursa mund të ulet gjatë pranverës. Sipas të dhënave të KESH rezerva energjitike e vendit është përgjysmuar nga 650 GWh që ka qenë  në fillim të janarit në 313.5 GWh në mes të marsit.

Kuota maksimale e ujit në Liqenin e Fierzës është 296. m  dhe  kuota minimale e punës është 240 çka tregon se rezerva energjitike është minimale .

Ka vetëm dy faktorë që mund të ndikojnë në përmirësimin e situatës që janë rënia e konsumit të energjisë me ngrohjen e motit dhe shkrirja e dëborës. Por në mungesë të reshjeve efekti i tyre nuk e zgjidh situatën. Korporata Elektro-energjitike Shqiptare ka importuar 89,1 milionë euro energji elektrike që prej 1 janarit deri në 14 mars. Çmimi i blerjes në bursa rezulton se ka pësuar ulje gjatë javëve të fundit dhe nga 237,2 euro megavatori në muajin janar   në 222,7 euro gjatë marsit.

Alarmi për situatën energjetike në vend është artikuluar hapur edhe nga kryeministri  Edi Rama i cili ka paralajmëruar edhe masa pë të kursyer energjinë.Në këtë kuadër e hëna është përcaktuar ditë pushimi për administratën si një nismë për të kursyer energji. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!