Shqipëria merr kryesinë e kartës SHBA-Adriatike në vitin 2019

schedule18:45 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 18:45 - 18 Dhjetor, 2018

Vitin e ardhshëm Shqipëria merr kryesinë e Kartës SHBA-Adriatike. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati gjatë Ministerialit të mbajtur në Podgoricë, theksoi nevojën e zgjerimit të kësaj Karte me të tjera vende të rajonit.

Karta SHBA- Adriatike duhet zgjeruar me të tjera vende të rajonit tonë. Sugjerimi është i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati i cili ishte i pranishëm në Ministerialin e A5 që zhvillohet në Podgoricë të Malit të Zi.

Kjo sipas Bushatit do t’i shërbejë integrimit të plotë euro-atlantik te rajonit në funksion të konsolidimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.

Në cilësinë e kryesuesit të kësaj nisme për vitin 2019 ministri Bushati vuri në dukje:

“Ndërkohë që kjo platformë i ka shërbyer plotësisht qëllimit të saj fillestar, për të mbështetur përpjekjet tona drejt integrimit euro-atlantik, besojmë se është koha për riadresimin e fokusit të Nismës. Fokusi i kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike do të jetë forcimi i mëtejshëm i koordinimit dhe mbështetjes reciproke, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, në luftën aktive dhe me efektivitet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”. 

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe vëzhguese diskutuan mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Ndërsa ministri Bushati u ndal veçanërisht edhe tek domosdoshmëria për të marrë parasysh kërkesën e Kosovës për t’u përfshirë si vend anëtar në këtë nisme në përputhje me aspiratat euro-atlantike të vetë Kosovës.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, miratuan edhe Komunikatën e Përbashkët, e cila avancon më tej rrugët e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe rëndësinë e zgjerimit të Kartës në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!