Shqipëria me rrugë të shtrenjta, por të pasigurta

schedule14:08 - 10 Nëntor, 2018

schedule 14:08 - 10 Nëntor, 2018

Shqipëria ka ndërtuar dhe vazhdon të ndërtojë rrugë që marrin shumë para, por megjithatë ato prapë janë të pasigurta dhe jo në standardet e duhura. Njohësit e kësaj fushe tregojnë se ku janë mangësitë gjatë ndërtimit të segmenteve, kurse drejtuesit e mjeteve flasin për rrezikun e përditshëm.

 Kostoja e ndërtimit të 1 km rrugë në Shqipëri arrin deri në 12.2 milion USD dhe sipas një analize të bërë nga World Highway, renditemi të dytët në Europë.

Danimarka e ka 5.8 milionë Euro, Kroacia 6.6 milionë Euro e kështu me radhë.  Sipas të njëjtit burim, na e kalon vetëm Austria me 12.8 milion Euro për 1 km rrugë.

Por pavarësisht kësaj kostoje, gjendja në autostradat shqiptare lë shumë për të dëshiruar duke nisur nga elementët më të thjeshtë të sinjalistikave, qoftë vertikale apo horizontale.

Probleme ka edhe me trafikndarëset, apo mbrojtëset anësore. Problem mbetet ndërtimi i pritave apo vendosja e rrjetave për t’u mbrojtur nga shembja e masiveve shkëmbore.

Në disa raste këto shembje e kanë dyfishuar koston e ndërtimit të rrugëve.

Sipas ekspertit rrugor, inxhinier Mikel Caku entet ndërtuese të rrugëve në Shqipëri më shumë i kushtojnë rëndësi ndërtimit si strukturë duke mos përfshirë në zëra fonde që kanë të bëjnë me sinjalistikën apo studime që mbrojnë jetët e njerëzve.

Mikel Caku, inxhinier, ekspert rrugor: “Vitet e fundit është miratuar një udhëzim i Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Brendshme e cila detyron entet e rrugës që të parashikohet që në fillim të investimit një fond i veçantë për auditimin dhe inspektimin e sigurisë rrugore”.

ABC News kreu një vëzhgim në rrugët Elbasan-Tiranë dhe Elbasan-Qafthanë për të parë nga afer shqetësimet e ngritura nga ekspertët qëndrojnë. Vetë drejtuesit e automjeteve tregojne se përballen çdo ditë me pasiguritë në qarkullim.

Shofer: “Kthesa e Xibrakës dhe kjo ura këtu është problem vërtet”.

Mikel Caku, inxhinier, ekspert rrugor: “Ky segment rrugor është projektuar për të zgjidhur përkohësisht qarkullimin e automjeteve, por është vërejtuar se në këto 5-6 vjet aty vazhdimisht kanë ndodhur aksidente”.

Ndërsa çdo ditë ndërtimet e rrugëve në Shqipëri marrin miliarda Euro nga taksapaguesit, infrastruktura e dobët e tyre dhe mungesa e studimeve përkatëse do të vazhdojnë të marrin jetë njerëzish.

Gazetar i ABC News, Elbasan: Fatos Salliu

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!