Eksperti i Marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi ka deklaruar lidhur me samitin për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, që do të organizohet nesër në Tiranë se Shqipëria është duke i dhënë një mbështetje morale Ukrainës.
Ai ka thënë për gazetaren Elisa Gjerani se Tirana nuk ka armatime dhe mundësi financiare për më shumë, prandaj po i ofron presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbështetje morale. Sipas Krisafit, vizita e Zelensky është me rëndësi strategjike për vendin tonë.
“Samiti dhe vizita e Zelensky është më shumë e rëndësishme për Shqipërinë se sa për vetë Zelenskyn në këto momente, është në vazhdën e disa vizitave dhe mbledhjeve të rëndësishme që janë bërë në Tiranë, si vizita e Blinken. Kjo vendos Tiranën në qendër të rajonit, të Ballkanit Perëndimor. Nuk shohim që kjo gjë të ndodhi në Podgoricë, apo Shkup, por ndodh në Shqipëri, që është vendi më stabël nga vendet të rajonit. Zelensky vjen në një moment shumë të vështirë për atë vetë dhe për Ukrainën. Unë mendoj që Shqipëria nuk ka për t’i ofruar ndonjë gjë Zelensky përveç se mbështetje morale, në kuptimin se ne nuk kemi ato lloj armatimesh, as Maqedonia e Veriut, as Kosova, që mund tja japim Ukrainës në këto momente. E vetmja që mund ta ndihmojë Ukrainën, është Serbia, e cila për arsyet e veta ka vendosur mos ta ndihmojë. Ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk e ka ndihmuar. Është më shumë mbështetje morale se me armatime asnjë nuk mund ta bëj. Por për Tiranën në vetvete është një ngjarje shumë e rëndësishme.
Unë nuk mendoj që Zelensky pret ndonjë gjë nga Shqipëria si armatime apo nga ana financiare, se nuk ka se çfarë t’i jap apo edhe nga vetë Ballkani Perëndimor, por është një zonë që një pjesë e vendeve kanë dyshime të mëdha. Po të shikojmë studimet tregojnë që jo e gjithë popullsia e këtyre vendeve është pro Ukrainës, pra le të themi që është një zonë e vështirë për Ukrainën. Ndoshta dhe kjo vizitë mund të shërbejë dhe si një lloj mesazhi që Zelensky mund të bind vendet që janë kundër”, tha ai.
Lidhur me mospraninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe prezencës vetëm të presidentes Vjosa Osmani ditën e martë në Samitin për Ukrainën, Krisafi u shpreh:
“Nuk dua të lexoj më shumë se ç’duhet në raste të tilla. Mjafton që një nga dy krerët e Kosovës të jetë pjesë, në këtë rast presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Kurti sigurisht ka ato pakënaqësitë e veta me ndërkombëtarët, për mënyrës se si po e bëjnë dialogun me Serbinë, apo SHBA për qendrimin që kanë me Serbinë. Nuk mund të ketë xhelozi në këtë rast. Një prej arsyeve pse Kurti ka këtë marrëdhënie të keqe me Ramën, është sepse në atë “luftë” fjalësh që Kurti bën herë pas here me amerikanët, Rama mban anën e amerikanëve, nuk mban anën e Kurtit. Të bësh “luftë” fjalësh me aleatit tënd më të madh, për mua është një mungesë logjike në politikën e jashtme. Duhet të jetë në takime të tilla, nuk mund të shmanget, por është diçka rutinë e tij që tani nuk bën më përshtypje”./abcnews.al


