Shqipëria kërkon prani të ushtarakëve amerikanë ose të NATO-s

schedule11:51 - 18 Prill, 2018

schedule 11:51 - 18 Prill, 2018

Në ditën e dytë të vizitës në SHBA. ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u prit në një takim të veçantë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.  Xhaçka kërkoi kthimin e Shqipërisë në një pikë kontakti në rajon dhe vendosjen e ushtarakëve amerikanë ose të NATO-s në vendin tonë.

Shqipëria kërkon praninë e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikes ose NATO-s në vend. Ministrja e Mbrotjes, Olta Xhaçka, kërkesën ja bëri, sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, gjatë një takimi që zhvilloi me të në Pentagon.

Olta Xhaçka: “Ju ftojmë ta konsideroni me dashamirësi Shqipërinë si një vend kontakti në rajon. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në rajon dhe do të luajmë padyshim një rol konstruktiv për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në zonën tonë. Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten tek ne. Ne besojmë se është koha për të parë një gjurmë në Shqipëri. Një prani e SHBA-së ose e NATO-s në Shqipëri është një demonstrim i qartë se kjo zonë nuk harrohet nga aleatët tanë. Në funksion të këtij projekti, ne jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion bazat tona detare, kapacitetet tona tokësore, ajrore, detare në mënyrë bilaterale me SHBA ose në kuadrin e NATO-s. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të shohim një rritje të prezencës së industrisë së mbrojtjes amerikane në Shqipëri. Në këtë drejtim, ne do të vlerësojmë mbështetjen dhe rolin tuaj për të promovuar këtë angazhim”.

Sugjerimi i ministres së Mbrotjes Xhaçka për ta kthyer Shqipërinë në një vend kontakti në rajon drejtuar zyrtarëve amerikanë vjen për të kundërshtuar presionin e vendeve të tilla si Rusia e për të treguar qasjen perëndimore të Ballanit Perëndimor.

Olta Xhaçka: “Ne besojmë se projektimi i stabilitetit është vendimtar për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë. Ballkani Perëndimor është një rajon i orientuar nga perëndimi. Ne ndajmë dhe mbrojmë parime dhe vlera të njëjta ndaj mirëpresim forcimin e partneritetit tonë strategjik.”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit e ministres Xhaçka mirëpriti propozimin dhe vlerësoi se vjen në momentin e duhur nga një vend që ka treguar jo vetëm me shifra por edhe me angazhime se është një aleat i denjë.

James Mattis: “Shqipëria ka treguar se madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi, se sa angazhimi i saj në Aleancë. Si një aleate e vendosur, Shqipëria godet më fort se sa pesha e saj.  Ju jeni aleati ynë jo vetëm në uniformë por në të gjitha aspektet e për këtë do të keni gjithmonë ndihmën tonë”.

Në emër të qeverise shqiptare, ministrja e Mbrojtjes  falenderoi sekretarin Mattis për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Forcat tona të Armatosura për misionet dhe operacionet, mundësitë e arsimit, stërvitjen dhe stërvitjet për personelin tonë ushtarak./abcnews.al