Shqipëria “jep llogari” sot në Bruksel

schedule10:40 - 24 Prill, 2019

schedule 10:40 - 24 Prill, 2019

Në Bruksel po mbahet takimi në nivel teknik, i nënkomisionit BE-Shqipëri. Në focus, menaxhimi i kufijve e lufta kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës. Komisioni Europian prêt përgjigje të detajuara nga Shqipëria.

Sot zhvillohet në Bruksel takimi i nënkomisionit BE-Shqipëri për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në kuadrin e marrëveshjes së MSA-së. Në fokus të kolonës së parë mbi çështjet e brendshme është kapaciteti i qeverisë shqiptare për menaxhimin e kufijve, të dhënat që dispononohen mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar nga Shqipëria, si dhe bashkëpunimin me FRONTEX.

Nga ana tjetër, Komisionit Europian kërkon përgjigje mbi masat që kanë marrë autoritetet shqiptare për uljen e kërkesave të pabazuara të azilit të qytetarëve shqiptarë në shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Çështja e luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës zë vend kyç në kolonën e parë të axhendës. Kërkohen përgjigjje të detajuara mbi masat që janë marrë nga qeveria shqiptare për të evituar ndryshimet e shpeshta për personat nën hetim në gjirin e personelit të policisë dhe si po zbatohet strategjia e planit të aksionit për armët e lehta. Komisioni Evropian ka kërkuar  statistika për gjurmën e provave lidhur me paditë dhe dënimet përfundimtare për luftën kundër krimit të organizuar.

Në të njëjtën linjë, është kërkuar informacion i detajuar mbi rezultatet e strategjisë kundër kanabisit dhe masat kundër rritjes së drogave të forta si heroina dhe kokaina, konfiskimin e aseteve kriminale dhe zbatimin e rekomandimeve të Moneyval. Në agjendë është përfshirë edhe bashkëpunimi lidhur me luftëtarët e huaj dhe masat kundër terrorizmit.

Kolona e dytë e takimit  i kushtohet reformës së drejtësisë, ku kërkohen të dhënat e fundit lidhur me ecurinë e ngritjes së Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, SPAK dhe procedimit të dosjeve të Vettingut. Kolona e tretë e agjendës ka të bëjë me të drejtat themelore, që lidhen me aksesin në drejtësi dhe asistencën ligjore për grupet e ndjeshme, çështjen e reformës së pronave, lirisë së shprehjes dhe të medias, mbrojtjen e minoriteteve dhe politikave antidiskriminuese për grupe të ndjeshme të popullsisë./abcnews.al