Shqipëria, i vetmi vend pa minimum jetik, ekspertët: Do të krijonte qytetarë të lirë, politika nuk ka interes

schedule13:32 - 23 Nëntor, 2022

schedule 13:32 - 23 Nëntor, 2022

Sipas të dhënave në tabelën e mëposhtme, nga 147.497 familje përfituese të ndihmës ekonomike në vend për vitin 2000, vetëm 61.445 familje përfitojnë ndihme ekonomike për vitin 2020. Numri i përfituesve të ndihmës ekonomike ka ardhur në rënie drastike si pasojë e ndryshimeve legjislative duke përjashtuar kategori të caktuara.

Shqipëria është ndër të paktat vende në botë që ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht një minimum jetik të popullsisë. Kjo mungesë e rendit Shqipërinë në vendet që nuk mund të garantojnë apo sigurojnë jetesën bazë të qytetarëve, me standartet e vendeve të botës së tretë. Ekspertët tregojnë arsyet pse qeveritë nuk e përcaktojnë dhe miratojnë minimumin jetik.

Sipas kreut të nismës ‘Thurje”, Endri Shabani qeveritë nuk e miratojnë minimumin jetik sepse do detyroheshin të rrisnin pagat, pensionet dhe ndihmat ekonomike dhe ai thotë se kjo miratimi i minimumit jetik do të krijonte qytetarë të lirë që nuk mund të shiten lehtë dhe kjo sipas tij nuk është në interesin e qeverive.

“Për dy arsye, e para nëse do vendosej një minimum jetik aty ku duhet të jetë, aty ku dhe INSTAT-i e parashikon që është kufiri i varfërisë, apo Banka Botërore vendos ku është kufiri i varfërisë do duhet që të rriteshin pensionet, do duhet që të rritesh ndihma ekonomike, do duhesh një pjesë e madhe e parave që sot shkojnë për disa biznesmenë që njihen si oligarkë në fakt mos shkojnë tek ata por të shkojnë tek qytetarët më të varfër të shoqërisë dhe midis qytetarëve të varfër dhe biznesmenëve të pasur politikanët në Shqipëri kanë zgjedhur gjithmonë biznesmenët e pasur për arsye interesash individualë. Kjo është një arsye dhe e dyta që lidhet me të parën, nëse ti e vendos me ligj minimumin jetik qytetari është më i lirë të rebelohet ndaj qeverisë, pra mund të protestojë, mund të kundërshtojë, mund të refuzojë që ta shesi votën për 50 mijë lekë apo për 50 euro dhe në një farë mënyrë është më i pakontrollueshëm,” u shpreh për “Vetting” Endri Shabani.

Eksperti i  çështjeve sociale Kastriot Sulka pohon se në rast se do të miratohej minimumi jetik do të ndikonte në rishikimin e të gjitha politikave sociale:

“Të gjitha politikat sociale fillojnë dhe rishikohen dhe kjo është arsyeja që nuk e pranojmë në mënyrë legale për tu influencuar sepse jemi më të lirë për të vendosur dhe e shtyjmë edhe njëherë tjetër, bëjmë sikur po rrisim pagën minimale, sikurse dhe po vazhdojmë dmth ndërtojmë skemën e rritjes së pagës minimale ndërkohë që nuk ke bërë gjë, thjesht ke rritur sasinë e të ardhurave nëpërmjet sigurimeve shoqërore në xhepin e shtetit pra në buxhet. Por në fakt ti ose i ke rënë biznesit më qaf, i cili është i detyruar që ta respektojë këtë ose ke vendosur që të mos kesh ndonjë lloj efekti të madh,” shprehet Sulka për emisionin “Vetting”.

Edhe sipas ekspertes së ekonomisë, Suzana Guxholli miratimi i minimumit jetik do të prishte ekuilibrat në buxhet, pasi buxheti i shtetit shqiptar sipas saj është i orientuar sipas preferencave politike:

“Është e vërtetë që ne jemi ndër vendet e pakta të cilët zyrtarisht nuk kanë të përcaktuar një minimum jetik për të jetuar. Kjo vjen sepse ne jemi një vend shumë i varfër, me një buxhet të limituar dhe të shpërndarë kryesisht sipas preferencave politike dhe të momentit. Duke qenë se ne kemi një buxhet të këtij lloji përcaktimi i minimumit jetik prish ekulibrat në këtë buxhet. Kjo domethënë që ti duhet të ndryshosh gjithë shifrat në buxhet për sa i përket ndihmës sociale, për sa ju përket pensioneve, për sa ju përket pagës minimale, pra shkojnë rrjesht ndryshimet,” tha ekspertja e ekonomisë, Suzana Guxholli.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!