BRUKSEL- Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Europian të zhvilluar në Bruksel, deklaroi se Shqipëria është e gatshme dhe e përkushtuar për t’u bërë pjesë e unionit, duke theksuar se vendi do të sjellë një frymë të re dhe vlera të çmuara në familjen europiane.
Rama u shpreh se shpesh duhet t’i përgjigjet pyetjes se përse Bashkimi Europian duhet ta ketë Shqipërinë në tryezën e tij, por sipas tij përgjigjja është e thjeshtë: vendi mbart “shpirtin e madh të dukurshëm të Europës”.
“Ndonjëherë duhet t’i përgjigjem një pyetje jo fort të lehtë: Pse BE duhet ta ketë Shqipërinë në tryezën e saj të rrumbullakët? Dhe mua më duket se përgjigjja është më e lehtë se vetë pyetja. Shqipëria sjell në tryezë shpirtin e madh të dukurshëm të Europës dhe i sjell kurorës së saj një grup tjetër të vogël të çmuar”, pohoi kryeministri Rama.
Ai theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në fusha kyçe dhe se qeveria mbetet e vendosur të vazhdojë reformat pa ndërprerje.
“Shqipëria është gati, jemi plotësisht të përkushtuar, kemi treguar rezultate me reforma, nuk do të ndalim asnjë çast. Ndjejmë përgjegjësinë për t’i shërbyer Europës dhe Europa për t’i shërbyer paqes,”, theksoi Rama.

