80 % e të rinjve në Shqipëri nuk gjejnë asnjë shërbim miqësor në vend. Ndërsa 30% e kësaj grupmoshe është e papunë. Të dhënat vijnë nga “Rrjeti Kombëtar Shqiptar” në ditën ndërkombëtare për të rinjtë. Përfaqësuesit e organizatave rinore i kërkojnë qeverisë dhe bashkive më tepër vëmendje ndaj kësaj grupmoshe.
Rreth 30 % e të rinjve në vendin tonë nuk kanë një punë. Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës e rendisin Shqipërinë të parën në Europë sa i përket papunësisë tek të rinjtë. Në ditën botërore të rinisë, “Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë” dhe “Qendra për të Drejtat e Fëmijëve” i kërkojnë qeverisë të miratojë në buxhet një zë specifik për rininë, ndërsa bashkive të krijojnë seksionet për këtë grupmoshë.
Kërkesa e tyre vjen pasi mbi 15 organizatat të shoqërisë civile, për gati dy vjet vlerësuan punën e bërë për zbatimin e planit kombëtar të veprimit për rininë në Shqipëri 2015-2020. Rezultatet i përmblodhën në një raport kombëtar, sipas të cilit buxheti që shkon për rininë është thuajse zero. Nga mbi 50 aktivitete të parashikuara për t’u realizuar, përgjatë dy viteve u përmbushën vetëm 10 prej tyre. Si shkak evidentohet mungesa e strukturave institucionale në nivel qendror dhe lokal.
Ndërkohë që të dhënat e Indeksit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, që shoqërojnë këtë raport, janë një këmbanë alarmi për të gjithë politikë-bërësit në Shqipëri. Rreth 81% e organizatave rinore në vend nuk gjejnë asnjë mbështetje për politikat e punësimit te Qeveria. Ndërsa 80 % e të rinjve nuk gjejnë asnjë shërbim miqësor në vendin tonë. Plani i miratuar në maj të vitit 2015 nga Qeveria Shqiptare kishte për qëllim zhvillimin dhe koordinimin e politikave rinore në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë, si dhe forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën shoqërore e në proceset vendimmarrëse.
Sipas Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë, rinia shqiptare nuk e ka gjetur mbështetjen e premtuar nga Qeveria dhe bashkitë. Të rinjve gjithnjë e më shumë po i kufizohen mundësitë për të marrë pjesë në vendimarrje dhe në politikë-bërje. Ndërkohë që duke u përdorur vetëm si sfond politik, të rinjtë nuk mund të arrijnë të ndryshojnë apo përmirësojnë jetën e tyre./abcnews.al