Shqipëria e 9-a në botë për eksportin e gështenjës, potenciale në rritje në zonat e Veriut

schedule07:21 - 3 Shkurt, 2021

schedule 07:21 - 3 Shkurt, 2021

Kërkesa në rritje për konsumin e arrorëve dhe kushtet e përshtatshme klimatike për prodhimin e tyre në veri të vendit krijojnë mundësi për fitime në banorët e këtyre zonave.

Një studim i profesorëve Drini Imami dhe Engjëll Shkreli, i financuar nga BERZH, vërteton se arroret (dhe veçanërisht gështenja) përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetet ku bujqësia intensive nuk është e përshtatshme, dhe ku alternativat e punësimit janë të pakta. Sidomos gështenja përbën produktin arror më të rëndësishëm për sa i përket prodhimit dhe tregtisë ndërkombëtare.

Të dhënat tregojnë se gati 50% të eksportit të frutave nga Shqipëria dominohet nga gështenja. Në rang botëror, Shqipëria renditet e 9-a për eksportin botëror të gështenjës. Aktualisht prodhimi i gështenjës bazohet gjerësisht mbi masivet pyjore ekzistuese, organike. Disa pjesë të zonave të prodhimit janë certifikuar si organike, fakt i cili paraqet një potencial të qartë konkurrues për eksport.

Biznesi i gështenjës bëhet favorizues për shkak se Shqipëria ka prodhim organik që mund ta shesë me çmim të lartë në tregjet ndërkombëtare dhe nga ana tjetër, gështenja ka më pak kosto se frutat e tjera pasi rritet në pyje në gjendje të lirë dhe përgjithësisht kosto për mirëmbajtën e tyre janë më të ulëta se për llojet e tjera të frutave.

Shqipëria prodhon afërisht mbi 6 mijë tonë gështenja në vit. Rajoni i Kukësit është zona kryesore e prodhimit të gështenjës. Një masiv i madh prej 2000 ha gjendet në Tropojë (në qarkun e Kukësit).

Rajoni i Shkodrës, dhe përkatësisht Malësia e Madhe, është gjithashtu një zonë e rëndësishme për prodhimin e gështenjës, me një avantazh krahasues lidhur me cilësinë e varieteteve të Reçit, (duke përfshirë gjenotipet “Puka”). Falë cilësisë së lartë, rreth 50% e prodhimit eksportohet kryesisht drejt Italisë. Rrethet e Dibrës, Pukës, Shkodrës, Bulqizës, Librazhdit dhe Matit janë gjithashtu prodhues të rëndësishëm të gështenjës.

Ekspertët pohojnë se financimi i bizneseve që lidhen me gështenjën nuk përbën risk për institucionet financiare që japin kredi. Ata sugjerojnë se disa prej mundësive më të rëndësishme të financimit në nivel ferme janë plantacionet e gështenjës, duke përfshirë kultivarët autoktonë të përshtatur më së miri me kushtet e Shqipërisë.

Por nevojat më të mëdha paraqiten në zinxhirin e përpunimit dhe mbështetja e projekteve të mëdha të integruara, që përfshijnë të gjitha fazat kryesore të përpunimit të gështenjës

Ekziston nevoja për investime për rritjen e kapaciteteve të magazinimit, mbështetjen e pajisjeve dhe ambienteve të konservimit të gështenjës në të nxehtë, mbështetjen e makinerive të thjeshta të ndarjes/klasifikimit dhe pajisjeve të tjera të tregtimit, dhe rritjen e kapaciteteve frigoriferike.

Duke pasur parasysh potencialin e sektorit për eksport, mund të merret në konsideratë edhe një linjë e plotë e përpunimit të gështenjës, që konsiston në një linjë klasifikimi (e cila klasifikon dhe ndan gështenjat në gështenja të destinuara për treg si produkte të freskëta dhe gështenja të destinuara për përpunim), në linjën e produktit të freskët dhe në linjën e produktit industrial.

Duke qenë se fermerët janë në të vërtetë vjelësit e gështenjës në pyje, ata nuk duket se shfaqin ndonjë nevojë për financim të kapitalit qarkullues. Mund të konsiderohet gjithashtu edhe financimi i zinxhirit të vlerës – tregtarët e gështenjës mund të shërbejnë si agjentë të institucioneve financiare, veçanërisht në rastet kur fermerët do të angazhohen në kultivimin e gështenjës apo në rinovimin/ menaxhimin më të mirë të pyjeve të gështenjës, rast në të cilin fermerët do të kishin nevojë për kapital investues./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!