Kombëtarja shqiptare luan ndeshjen e fundit të vitit, miqësore në Antalia ndaj Turqisë. Trajneri Panuçi kërkon fitore në përballjen e orës 18:30, ndërsa bën kritika për disa nga futbollistët
Do të luhet sot miqësorja e vetme e fundvitit.
Trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, e vlerëson lart përgatitoren e orës 18:30 ndaj Turqisë, në Antalia, ndonëse mungesat janë të shumta.
Italiani tregon menjëherë se përse vlen ndeshja dhe se çfarë objektivi ka.
Panuçi: “Së pari, kemi punuar shumë mirë, kemi provuar situata të ndryshme që na shërbejnë gjatë ndeshjes, kemi punuar fizikisht, teknikisht dhe taktikisht. E quaj një grumbullim shumë të rëndësishëm, në një moment të vështirë ku lojtarët kanë luajtur shumë ndeshje me skuadrat e tyre. Duhet t’i përgëzoj futbollistët që kanë qenë shumë seriozë dhe profesionistë. Do të hedh në fushë skuadrën më të mirë për të fituar ndeshjen, pasi në kombëtare nuk ka miqësore”.
Përtej ndeshjes, kombëtarja duket se ka edhe probleme.
Disa lojtarë dolën të dëmtuar, u larguan nga ekipi dhe nuk u zëvendësuan.
Pyetja për Panuçin ishte nëse kishin pasur informacion për të dëmtuarit dhe përse nuk u zëvendësuan?
Panuçi: “Këtu duhet të bëjmë një sqarim. Nuk është profesionalizëm kur informacion quhet dërgimi I një e-maili, një telefonatë ku lojtari thotë se nuk jam mirë, apo kur marrim klube në telefon dhe askush nuk na përgjigjet. Nuk po flas për rastin e Cikalleshit apo Balajt që kanë kohë të dëmtuar, por kur lojtari ka një dëmtim të momentit të fundit, duhet të paraqitet në kombëtare. Ne duam të jemi seriozë, jo palaço”.
Trajneri bëri kritikë konkrete për Latifin që nuk solli dokument, dhe që nuk tha gjë për dëmtimin. Po ashtu, për Abrashin që nuk erdhi fare në grumbullim.
Një ngacmim edhe për thirrjen e Naser Alijit që është pa ekip.
Panuçi: “Aliji është një lojtar të cilin unë e vlerësoj shumë dhe llogaris të mbështetem tek ai. Për këtë arsye e thirra në këtë grumbullim, edhe pse nuk është në gjendje të luajë 90 minuta. Vendosa t’i jepja një dorë, dhe më vjen keq që është pa skuadër, pasi është një lojtar I nivelit europian, dhe meriton të vazhdojë karrierën. Përpara sesa të jemi një skuadër, ne jemi një familje”.
Këtë herë, kapiten i kombëtares do të jetë Etrit Berisha./abcnews.al