Deputeti Fatmir Mediu, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka deklaruar se rendi ndërkombëtar po kalon nga marrëdhëniet multilaterale drejt një realiteti multipolar, ku vendimmarrja nuk bazohet më në norma liberale dhe procese morale pas Luftës së Dytë Botërore, por në presione gjeopolitike.
Sipas tij, në këtë kontekst roli i Shqipërisë mbetet i papërfillshëm për shkak të mungesës së peshës gjeopolitike, ekonomike dhe ushtarake, ndërsa theksoi se politika e jashtme e vendit duhet të jetë e qëndrueshme dhe e orientuar drejt interesit strategjik afatgjatë, veçanërisht në raport me partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe sfidat e sigurisë në rajon.
“Problemi lëviz nga marrëdhëniet mulilateriale në multipolare dhe nuk janë më normat liberale pas Luftës Botërore që vendosin përmes një procesimi moral, por mbi presionet. Në këtë këndvështrim roli i Shqipërisë është krejt i papërfillshëm, sepse nuk është as autoritet gjeopolitik, ekonomik apo ushtarak, përveçse ka një kryeministër shumë të mençur që do të mësoj Trump se çdo bëjë. Kjo ka dalë kohët e fundit. Kjo është se si ia futi Edi Rama opozitës. Unë e kuptoj shumë mirë se çdo të bëjë Trump, një Amerikë të fuqishme dhe solide. Kërcënimi sot për sot për Amerikën është Kina. Prandaj pretendimi më i madh për ofruar Rusinë, afrimi me Kinën po bëjnë një kërcënim shumë të madh.
Ky është lloji i strategjisë dhe politikës së tyre, ajo që ne duhet të bëjmë në analizë është se sa e qëndrueshme është kjo lloj politike. Sepse politika e Shqipërisë nuk duhet që të ndryshojë herë pas here, sepse ne jo vetëm që nuk do të jemi më serioz, por do të jemi edhe të papërfillshëm. Ajo që na intereson ne, ajo që thotë Berisha është se në raport me sigurinë ne kemi pasur një partneritet shumë të fuqishëm me Amerikën. Shqipëria asnjëherë nuk i ka shfrytëzuar gjërat qoftë për çështjet ballkanike, qoftë për çështjet shqiptare, apo të vendit tonë, e kemi bërë vetëm për foto. Nuk mbaj mend që në ndonjë samit ne të kemi shkuar të organizuar se kush janë kërcënimet e rajonit të Ballkanit. Ne duhet të shikojmë që këto institucione ndërkombëtare janë mekanizmi më i mirë për interesin tonë”, tha Mediu.


