Shqipëria “bëhet” me Eurodeputet/ Grekët zgjedhin shtetasin shqiptar Beleri për në Parlamentin Europian

schedule22:05 - 9 Qershor, 2024

schedule 22:05 - 9 Qershor, 2024

Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës është në listën fituese të partisë “Demokracia e Re” të kryeministrit Grek Kyriakos Mitsotakis për të qenë deputet në Parlamentin Europian.
Sipas rezultateve të deritanishme, pasi janë numëruar mbi 90% e kutive të votimit, Fredi Beleri renditet i treti si kandidati më i votuar.

Partia Demokracia e Re e kryeministrit Grek Kyriakos Mitsotakis arriti të siguronte në këto zgjedhje 7 vende në parlamentin Europian duke marrë mbi 27% të votave e pasuar nga Syriza me 14.93% të votave në vend të dytë dhe në vend të tretë është Pasok me 12.92% të votave.

Kandidati tjetër shqiptar në Partinë e Mitsotakis, Pirro Dhima, shtangisti nga Himara i cili u arratis nga Shqipëria dhe është vetëdeklaruar grek nuk arriti dot që të merrte dot votat e mjaftueshme për të siguruar një mandate si eurodeputet.

Nga ana tjetër Fredi Beleri i cili fitoi postin e eurodeputetit nuk duket se do të shkojë shpejt drejt selive të Parlamentit Europian në Strasburg apo Bruksel për shkak se më parë duhet të shlyej dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, dënim ky me dy vite burg mbi akuzat për korrupsion zgjedhor.

Çështja e Fredi Belerit solli për disa muaj përplasje mes Athinës dhe Tiranës zyrtare. Greqia tentoi të kërcënonte Shqipërinë me integrimin Europian duke i kërkuar lirimin e Fredi Belerit, por vetë Bashkimi Europian u shpreh se kjo mbetet një çështje e drejtësisë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!