Bruksel – Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje koordinimi për teknologjinë 5G me Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama i cili ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken. Ky i fundit vlerësoi lidershipin e kryeministrit Edi Rama ndërsa tha së shpreson që Shqipëria të bëhet shembull që marrëveshjet për rrjetin 5G të përhapen edhe në vendet e tjera të Ballkanit.
Gjatë fjalimit të tij të shkurtër Blinken ka theksuar se partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA po forcohet.
“Faleminderit për punën e bërë së bashku. Po vendosim një shembull të fortë për nevojën se kur bëhet fjalë për rrjetet e ndjeshme të teknologjisë të punojmë me shitës të besuar. Jemi mirënjohës për punë që SHBA dhe Shqipëria kanë bërë së bashku dhe stërvitjen Defender. Presim që të merrni vendin tuaj në këshillin e sigurisë. Kemi shumë për të bërë po bëhet partneritet më i fortë. E vlerësojmë shumë lidershipin tuaj” tha Blinken.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama ka theksuar se është nder për Shqipërinë që të jetë krah Shteteve të Bashkuar të Amerikës.
“Për mua e vlerësoj shumë. U kemi kërkuar edhe të tjerëve që të bëhen pjesë dhe të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi dhe për ta vënë këtë korridor në duart e qytetarëve dhe institucioneve dhe të mos lejojmë që të kompromentohen nga aktorë të tretë dashakeq. Është nder për Shqipërinë të jetë krah jush. Shpresoj që së bashku të bindim edhe miqtë e tjerë në rajon të bëhen pjesë e kësaj. Jemi mirënjohës që ju kemi si partner dhe aleat.” tha Rama.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, firmosi vendimin për të shpallur “non grata” në SHBA ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe anëtarë të afërt të familjes së tij. Berisha reagoi ashpër duke e cilësuar vendimin si të pabazuar, ndërsa kërkoi publikimin e fakteve dhe provave mbi të cilat është marrë ky vendim.
Gjithashtu, Berisha paralajmëroi ngritjen e një padie në një prej gjykatave franceze për Sekretarin Blinken. Në reagimin e tij, ish-kryeministri Berisha akuzoi se vendimi është një lobim i George Soros dhe Edi Ramës./abcnews.al/