Shqipëria dhe Italia do të zhvillojnë të enjten mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive. Kryeministri Edi Rama sëbashku me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe 9 ministra të kabinetit do të udhëtojnë drejt Romës pasditen e kësaj të mërkure.
Axhenda parashikon një takim kokë më kokë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres Giorgia Meloni në orën 11:40 ndërsa 50 minuta më pas do të nisë edhe mbledhja e përbashkët mes dy delegacioneve.
Rreth orës 14:00 pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe memorandumeve bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë, që përfshijnë fusha si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, si edhe zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor.
Mediat në vendin fqinj raportojnë se Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji në fushën e mbrojtjes ndërsa në territorin shqiptar do të ngrihet një infrastrukturë detare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.
Në sektorin e energjisë, po zgjerohet bashkëpunimi mbi bazën e marrëveshjes trepalëshe midis Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë, të nënshkruar më 15 janar 2025 në Abu Dhabi. Kjo marrëveshje parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe ndërtimin e një ndërlidhjeje nëndetëse që do të lidhë sistemet energjetike të dy vendeve. Ndërsa sa i përket emigracionit do të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe për të forcuar kapacitetet e patrullimit detar të Shqipërisë.
Ndër vite, Shqipëria dhe Italia ka ruajtur marrëdhënie të mira dy palëshe, cka e dëshmon edhe njohja e pensioneve por edhe ngritja e qendrave të kthimit të emigrantëve në Gjadër, marrëveshje të cilën Edi Rama e ka cilësuar unike, ndërsa homologia e tij Meloni, ka theksuar disa here mbështetjen që Italia I jep SHqipërisë në aspiratën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

