Shqipëri eksperimentale me Kosovën

schedule22:29 - 28 Maj, 2018

schedule 22:29 - 28 Maj, 2018

Kombëtarja jonë pritet të luajë me formacion eksperimental në miqësoren me Kosovën të martën në Zyrih. Trajneri i kuqezinjve ka deklaruar në konferencën para ndeshjes, se kombëtarja është gjithnjë e hapur për talentet.

Christian Panucci pritet të luajë me një formacion eksperimental në miqësoren me Kosovën të martën në Zyrih. Nga minuta e parë mund të shikojmë në sulm debutuesin Guri dhe Cikalleshin. Në formacionin e parë një vend mund të jetë edhe për Ndojin në mesfushë, ku Roshi është veteran, pasi Ramadani dhe Qaka nuk kanë shumë kohë me ekipin. Në mbrojtje priten Hysaj, Veseli Gjimshiti e Lika, ndërsa në portë Berisha. Do të mungojnë Vajushi e Binaku, të cilët ishin në listë, por është lënduar edhe Lenjani. Në konferencën para ndeshjes trajneri Christian Panucci tha pse zgjodhi këta kundërshtarë për miqësoret para Ligës së Kombeve.

Christian Panucci Trajner i Shqipërisë: Kosova skuadër e mirë, me talente. Ukraina është e fortë si Skocia, por dhe Izraeli ka lojtarë me rëndësi. Doja një kundërshtar pak më të dobët se ne dhe një pak më të fortë. Jam i bindur se kjo skuadër mund të bëjë shume.

Panucci tha se është gjithmonë në kërkim të talenteve dhe se Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Stërvitjen e fundit e zhvilloi edhe Kosova në stadiumin ku do të luhet sfida të martën në orën 20:00. Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes e cilësoi si një ndeshje mes vëllait të madh Shqipërisë dhe atij të vogël Kosovës. Ai ka afruar edhe lojtarë të rinj në këtë sfidë përgatitore për Ligën e Kombeve. /abcnews.al