Sporti nuk është vetëm rezultate, trofe dhe rekorde. Është më shumë se kaq, sidomos kur bëhet fjalë për atë ekipor, ku duhet shpirt skuadre, bashkëpunim dhe solidaritet.
Shembulli më i mirë vjen nga Suedia. Futbollistët e AIK Kalmar kanë bërë një gjest fantastik, si mbështetje për kapitenin e tyre, në sfidën e tij të jetës, atë kundër kancerit.
Markus Herman u diagnostikua me sëmundjen e rëndë disa muaj më parë, ndërsa si pasojë e kurave ka humbur flokët.
Dhe cila është mënyra e duhur për të shprehur të gjithë solidaritetin me të? Shokët e skuadrës gjetën një mënyrë origjinale, duke u qethur të gjithë zero.
Surpriza funksionoi, ndërsa Markus Herman nuk e fshehu aspak mallëngjimin kur pa të gjithë ekipin pa flokë. Nuk mund të mungonte një foto skuadre, që përjetëson një tjetër histori njerëzore që vjen nga sporti.