Kombëtarja nuk ka stabilitet në formacion, dhe kjo shkakton edhe problemet në lojë. Trajneri i njohur, Shpëtim Duro, analizon paraqitjen e Shqipërisë në ndeshjen ndaj Skocisë.
Të paktën paraqitja e shëmtuar mund të ishte shmangur.
Kombëtarja mund të kishte humbur në fushën e Skocisë, por jo të ishte turpëruar me lojë, ndërsa njëri nga trajnerët me më shumë përvojë në Shqipëri, Shpëtim Duro, thekson se dobësitë ishin shfaqur që në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit në Elbasan.
“Fitorja me Izraelin ishte shumë e bukur, por edhe ajo ndeshje pati shumë probleme dhe gabime sidomos në aspektin mbrojtës. Këto gabime u panë edhe pas disa ditësh dhe siç e patë pësojmë gola në mënyrë amatoreske. Më shqetëson fakti i shumë problemeve që ka skuadra, i organikës së skuadrës, i lëvizjes së shumtë të lojtarëve”, tha Duro.
“Janë mendime që reparti më i rëndësishëm, më me rendiment në ndeshjen me Izraelin ishte treshja e mesfushës, pra Basha, Xhaka dhe Memuashaj. Kjo treshe pas tre ditësh prishet, pra Basha nuk aktivizohet, Memushaj spostohet në krahun e majtë, Xhaka spostohet nga e djathta. Kombëtarja jonë momentalisht ka shumë lojtarë si asnjëherë tjetër dhe trajneri duhet të ketë të qartë stabilizimin e formacionit”, u shpreh Shpëtim Duro.
Si trajner, si e gjykon Duro punën e Christian Panuccit, sidomos në ndeshjen e fundit.
“Natyrisht nuk e ka përvojën e De Biasit sepse ai erdhi si trajner pas një përvoje shumë të gjatë me skuadrat e Serisë A. Ai vetë në këtë periudhë një-vjeçare nuk e ka pasur të qartë se çdo të bëjë me skuadrën. Unë i referohem intervistave të Panuccit që para dy-tre muajsh kërkoi reformim duke larguar shumë lojtarë me përvojë nga skuadra fut këtu edhe Memushajn edhe Bashën dhe përsëri kthehet te këta”, tha Duro.
A ka shanse kualifikimi kombëtarja, sipas ish-trajnerit të Partizanit, Dinamos, Shkëndisë së Tetovës apo Flamurtarit?
“Ne nuk duhet të godasim shumë trajnerin në këtë kohë. Unë kam përshtypjen që jemi në kohë, jemi brenda objektivave, por janë shumë të rëndësishme ndeshjet në vazhdim me Skocinë dhe Izraelin”, tha Duro./abcnews.al