Informacione të reja kanë dalë në dritë në lidhje me shpërthimet e ndodhura në tubacionet Nord Stream në fund të shtatorit.
“Një anije e marinës ruse e specializuar në operacionet nënujore ishte e pranishme në vendin e sabotimit,” shkroi gazeta daneze Information të premten. Ushtria daneze konfirmoi për gazetën se ka 26 foto të anijes SS-750.
Fotot janë bërë në Detin Baltik katër ditë para shpërthimeve të 26 shtatorit. Shtatë muaj pas sabotimit të dy tubacioneve të gazit natyror që lidhin Rusinë me Gjermaninë, përgjegjësia për sulmin me nëndetëse mbetet një mister, pavarësisht hetimeve në vendet fqinje (Gjermani, Suedi, Danimarkë).
Në fillim të marsit, New York Times raportoi se, sipas informacioneve që zotëronin shërbimet e inteligjencës amerikane, një “grup pro-ukrainas” ishte përgjegjës për sabotimin, por pa përfshirjen e presidentit Volodymyr Zelensky dhe qeverisë së vendit.
Gjermania kishte njoftuar në atë kohë se po hetonte një anije të dyshuar që kishte transportuar lëndët plasëse në vendin e sabotimit, pa mundur të identifikonte autorët.
E vetmja siguri është se sabotimi është i lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, por është një “rast kompleks”, shpjegoi në fillim të prillit një prokuror suedez i përfshirë në hetim.
Sipas analistit Jacob Kaarsbo, një ish-anëtar i shërbimeve të inteligjencës ushtarake të Danimarkës, prania e SS-750 në zonë “hedh dritë për atë që ndodhi në zonë në ditët e mëparshme”.
/abcnews.al