Shpërthimi në Beirut favorizoi rritjen e rasteve me Covid-19, Libani vendos karantinën e pjesshme

schedule16:18 - 21 Gusht, 2020

schedule 16:18 - 21 Gusht, 2020

Libani ka vendosur një karantinë të pjesshme për dy javë me qëllim që të menaxhojë rastet në rritje me Covid-19. Shtimi i këtyre të fundit është favorizuar akoma më shumë nga shpërthimi katastrofik në portin e Beirut-it.

Përhapja e Covid-19 është duke ndërlikuar problemet aktuale në vendin që ende nuk e ka marrë veten nga shpërthimi i katër gushtit që u mori jetën të paktën 179 personave dhe plagosur të paktën 6,000 të tjerë.

Të enjten, Libani regjistroi numrin më të lartë të rasteve me Covid-19 duke konfirmuar 613 raste të reja në 24 orë.

Mjekët thonë se rastet janë përhapur pas shpërthimit pasi spitalet u tejmbushën me të plagosur.

Iman Shankiti, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetit në Liban, i tha radios Zëri i Libanit: “Para shpërthimit, rastet totale ishin 5,000-6,000, tani ne po afrohemi në 10,000 e më lart.”

Karantina e pjesshme, e cila përfshin shtetrrethim nga ora 6 e pasdites në 6 të mëngjesit, lejon pastrimin e rrënojave, bërjen e riparimeve dhe dhënien e ndihmës në lagjet e rrënuara nga shpërthimi. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!