Shpërthimi në banesën e Armand Dukës, reagojnë Basha dhe Meta: Të zbardhet ngjarja

schedule22:52 - 24 Janar, 2022

schedule 22:52 - 24 Janar, 2022

Kreu i PD Lulzim Basha ka reaguar pas shpërthimit me tritol në banesën e Armand Dukës në Durrës. Basha thotë se zhvillimet rreth FSHF-së tregojnë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim ka zaptimin me çdo mjet.

Ai thekson se strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka

“Zhvillimet rreth FSHF-së, tregojnë edhe njëherë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim të vetëm ka zaptimin me çdo mjet, të çdo institucioni.

Strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, që kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq, shkruan Basha.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta. Ai u bën thirrje institucioneve që të zbardhin me transparencë këtë ngjarje të rëndë.

“Dënoj me forcë aktin terrorist në familjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armando Duka dhe u bëj thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë.

Një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve”, shprehet Meta.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar zbardhje të ngjarjes duke theksuar se pavarësisht përplasjeve për FSHF, Duka është kundërshtari i tij dhe jo armiku.

“Duhet urgjent policia, prokuroria dhe kamerat, të sigurohet jeta e kujtdo, ai është kundërshtari im, jo armiku im. Ai ka bërë shumë gjynahe por ai kjo është vepër kriminale e dënueshme. I bëj thirrje policisë, prokurorisë, shërbimit informativ, të gjithë strukturave ligjzbatuese në Shijak apo ku është rasti konkret zotërisë t’i sigurojnë jetën, zotërisë t’i garantojë qetësinë familjare sepse nuk ka lidhje fare shtëpia dhe familja me çfarë bën secili prej nesh në aktivitetin publik. Thirrja ime është që jo vetëm të zbulohen sa më parë në mënyrë të pamëshirshme me këdo që bën gjeste të tilla”, ka theksuar Veliaj për emisionin TPZ.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!