Shpërthime në Kiev pas sulmeve ruse me raketa dhe dronë

schedule09:24 - 13 Nëntor, 2024

schedule 09:24 - 13 Nëntor, 2024

(Foto ilustruese)

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka raportuar shpërthime në qytet, teksa kryeqyteti ukrainas u përball edhe me një sulm të ri rus me raketa dhe dronë më 13 nëntor.

“Më shumë dronë po hyjnë në kryeqytet. Rreziku nga raketat vazhdon. Mos dilni nga strehimoret”, shkroi Klitschko në Telegram.

Forcat ajrore ukrainase paralajmëruan më herët se një tufë dronësh dhe raketash ruse ishin nisur drejt Kievit dhe lëshuan alarmin për sulme ajrore në mbarë shtetin.

“[Presidenti rus, Vladimir] Putin aktualisht po kryen sulme me raketa ndaj Kievit”, shkroi në Telegram, Andriy Yermak, shefi i stafit i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Rusia, që ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, javëve të fundit ka intensifikuar sulmet ndaj qyteteve ukrainase.

Sulmet e fundit ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe të energjisë, teksa ukrainasit po përgatiten edhe për një dimër në kohën kur lufta po vazhdon./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!